Kush po mundohet të mos djegë ‘plehrat’, hetimi politik, penal apo pazari i radhës

Ka shumë ditë që në klanizimin mediatik dhe në arenën politike kanë nisur akuzat e kundërakuzat e çartura për skandalin më të madh te 30 viteve të fundit siç është vjedhja shqeto e parave publike nga të ashtuquajturit incineratorë. U reklamuan si vend ku do të digjeshin plehrat por në fakt aty po digjen dhe po bëhen shkrumb e hi miliardat para, të shqiptarëve.  

Eshtë krijuar edhe një komision parlamentar hetimor që përveç gudulisjes dhe gjurulldisë mediatike me letra herë më firme e herë pa firmë, asnjë lloj shpjegimi konkret dhe akuza konkrete nuk ka marrë përsipër të dërgojë në SPAK. 

Thonë se do të ketë një raport në fund të afatit të punimeve pyetsore të këtij komisioni për të cilin profesori i njohur dhe deputeti opozitar Edmond Spaho deklaroi se, asnjë fakt nuk mund të nxirret përderisa sundon dhe vendos mazhoranca.  

Pra kemi thjesht një komision për shpëlarje goje, dhe truri. Dhe raporti i tij thjesht do të përdoret si një statistikë e punimeve të parlamentit dhe si një justifikim për dietat e deputetëve që kanë marrë pjesë në të.

SPAK ka arrestuar deri tani një ish ministër për këtë aferë të madhe. Ndërkohë që kreu i Bashkisë së Tiranës që ka firmosur gjithçka pa pyetur këshillin bashkiak është akoma në varkën e shpëtimit. Kjo ndoshta edhe për shkak të peshës së tij në PS por edhe pse pjesë e pazarit me plehrat janë media të mëdha, politikanë të sajdisur dhe personazhe publike që kanë fshehur sqepin e nuk flasin. 

Hetimi politik nëpërmjet komisionit parlamentar është njëra anë e medaljes. Në historikun e madh të komisioneve në asnjë prej tyre nuk ka pasur ndonjëherë fajtorë të zbuluar apo rekomandime të qarta dhe me baza ligjore për të marrë masa deri edhe arrestime te bujshme për persona që janë “përfolur” për afera të ndryshme. 

Në asnjë rast të vetëm këto lloj komisionesh nuk kanë mundur të paraqesin diçka solide. Dhe kjo ma shton edhe më shumë dyshimin se ky komision u krijua vetëm për të hedhur në erë të vërtetat e denoncuara tashmë edhe nga një pjesë e politikës por edhe një pjesë  e medies. Të vërteta që faktojnë vjedhjen e parave publike. 

Hetimi penal me përzgjedhje është edhe më i rrezikshëm se sa ai politik i cili bazohet vetëm në argumente fluide. Nëse hetimi penal bëhet pjesë e gudulisjes dhe gjurulldisë atëherë projekti i fshehjes së të vërtetave konsolidohet mire.  

Hetimi penal me të cilin merren specialistë nuk ka asnjë lloj shansi të mbërrijë në një fund konciz nëse nuk ka veprime të menjëhershme. Arrestimi i Lefter Kokës është vetëm bishti i garuzhdes së madhe e cila nëse zhytet në grumbullin e “plehrave” mbushet buzë më buzë por edhe derdhet.

Edhe në komisionin e Tabakut, ka rilindas që kanë firmosur e që do të duhet të votojnë në fund të punës së këtij komisioni. Dhe kush mendon se këta që kanë firmosur të jenë dakord me arrestimin e vetvetes apo me akuzimin e vetvetes është me probleme të mëdha. 

Pra të dyja “hetimet” e nisura kanë hijet të shumta që nuk shpjegohen publikisht por që i shërbejnë njëra tjetrës për të mbuluar me dheun e  proceduarave, “plehrat”.  

Dhe nëse edhe Kuvendi edhe SPAK behën bashkë të jemi të sigurt që edhe arrestimi i Kokës do të jete një flluskë e cila sapo të shpërthejë do të zhduket në ajër. 

Pra nëpërmjet komisionit Tabaku, po tentohet përgjumja e opinionit publik. Ndërsa me goditjen e Kokës po tentohet të frikësohen ata që dinë diçka për këtë skandal gjigant.  Dhe që mund të flasin. Pra po u tregohen prangat. 

Dhe nëse e kuptojmë qartë një koordinim i tillë “Hetim Politik”, “Hetim Penal”, dyzon të vërtetat dhe ngatërron realitetin. Në këtë çorbë sorosiane, sjellja e Spahos ishte një përkujdesje që kjo gjë të mos ndodhte të paktën në praninë e tij. 

Shenjat e abuzimit, vjedhjes, janë aq të qarta sa edhe një i shkolluar lehtë do të kishte prangosur të paktën ata që firmosën 17 urdhra në 24 orë. U sigluan e u firmosen sikur të kishte qenë një spital dhe duheshin dokumentet për të shpëtuar jetë. Nejse... këtu ndoshta gabohem se vjedhja për rilindjen hyn tek urgjencat. 

Por nëse pritet sinjali, komanda, ose nga lideri ose nga diplomatët kjo i jep goditje demokracisë dhe ul besimin dhe shpresën e shqiptarëve edhe tek spakistët që të ndrojtur shikojnë se si një aferë e cila mund ti bënte të “forte” e tu jepte emër, po zhvlerësohet në mënyrë të pandalshme nga strategjia me komisione dhe me kronika televizive. 

Duke shikuar gjithë këto fakte me krijohet bindja se edhe hetimi politik edhe ai penal janë bërë bashkë që të nxjerrin nga balta rilindjen. Ose një pazar tjetër i madh është në horizont që do t'u kushtojë shqiptarëve. Pazar me dyer të hapura ministrish pa brava e hekur. Pra na shpëtoni nga SPAK të mundohemi t’ju shpëtojmë nga “Shtëpia e Lirisë”.