VIDEO/ Petrit Vasili: Jorida Tabaku pjesë e skenarit për të mos hetuar inceneratorët

A po e heton komisioni parlamentar aferën e inceneratorëve? 

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili akuzon kryetaren e Komisionit Parlamentar për inceneratorët, Jorida Tabaku se po tenton të bllokojë hetimet për aferën e shekullit. 

Në një lidhje me Skype për edicionin e 'Ora 19:00' në Syri Tv me moderatoren Juli Krisafi, Vasili e quajti Tabakun pjesë të skenarit për të mos hetuar inceneratorët.

Vasili tha se deputetja po zbeh denoncimet madhore që bëri LSI që në mars të vitit të kaluar, ndërsa shtoi se Komisioni Hetimor po bën tallava me aferën 430 mln euro.  

"Denoncimi i drejtpoërdrejtë ballor dhe me dokumente kompromentuese vendos në një vështirësi të jashtëzakonshme gjithmonë kur ka dyshe të cilat flirtojnë politikisht dhe ndajnë interesa ekonomike të mëdha, siç është dyshja e famshme Rama-Brava. Në rastin konkret janë të interesuar që të bëjnë një show si ai që shikoni ju në të ashtuquajturin Komision Hetimor për hetimin e inceneratorëve, por që show të qëndrojë duhet patjetër të heqim pjesën e vërtetë, theblësore, që është ajo që LSI dhe Kryemadhi, ka bërë duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, për të denoncuar ballë për ballë dhe dhëmb për dhëmb korrupsionin e tmerrshëm dhe grabitjen e pashembullt në historinë e pluralizmit të parave publike siç është rasti i inceneratorëve.

Zonja në fjalë është pjesë e këtij skenari, pjesë edhe qesharake, edhe butaforike edhe e rrezikshme sepse i bën shërbim një skenari të tillë. Isha i detyruar të reagoja, sepse kur pashë që në mënyrë të përsëritur dhe të paturp, të gënjente përpara fakteve publike gjerësisht të njohura, vura përballë atë që vetë SPAK ka komunikuar zyrtarisht për hapjen e hetimeve dhe ndalimeve nga një ish-ministër Mjedisi e të tjerë.

Çfarë interesi ka një kryetare e Komisionit Hetimor që të zbehë, të shuajë ato denoncime, kallëzime shumë të rënda dhe me qindra dokumente të LSI, që realisht që ishin ato që vunë në lëvizje këtë aferë, që u shty për ato javët dhe muajt zgjedhorë sepse është denoncuar që në mars 2021, në mënyrë që tangoja të bënte batërdinë e 25 prillit, por ishte e qartë, 'minarja në xhep nuk futet'.

Kjo çështje është kaq e madhe, kaq e rëndë, por tani është edhe pronë e të gjithë qytetarëve, pasi bëmat dhe gjëmat janë në duart e tyre sa nuk ka asnjë njeri që ta fshehë dot. I bëhet shërbim fshehjes, mbylljes së aferës dhe vazhdimit të përfitimit të cilët vazhdojnë dhe paguajnë në favor të mafiozëve në qeveri", u shpreh Vasili.