Afera e Portit të Durrësit/ Berisha: Rama mund të konfiskojë çdo tokë në bregdet

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, në një tryezë të organizuar me shoqatën ‘Durrësi’, denoncoi se afera e Portit të Durrësit mund të shtrihet në mbarë bregun.

Ai tha se kjo vjen për shkak se qeveria i ka dhënë të drejtën vetes që të marrë pronat e të tjerëve.

“Thembra e Akilit është se ky skenar mund të shtrihet në këtë formë nga Velipoja deri në kepin e Spillesë.

Gjatë viteve 2009-2010 na ofrohet një biznesmen i njohur gjerman, me një ofertë gjigante, 15 miliard dollarë investime.

Unë nuk i refuzoja edhe ata që dukeshin si UFO, që të mos i jepja shkas askujt që Shqipëria po refuzon investimet. Kështu veprova me këtë.

Më tha se aplikimin e këtij ligji e kishte parë në Egjipt ku ishte ndërtuar Marsala. Si përfundim, kur afrohej finalja, ai kërkoi që gjithë bregun e Shqipërisë, të bëja një ligj të investimeve strategjike si të Edi Ramës, që de facto e bën të paqenë pronësinë. I jep dorë qeverisë që të konfiskojë për qëllime strategjike tokat e të gjitha brigjeve të vendit, përfshi edhe liqenet.

I them faleminderit, nuk bëhet. Ai u zemërua, por unë nuk kisha premtuar. I thashë se kjo është jashtë çdo parimi pasi do të thotë se qeveria të bëhet pa qenë pronar i tokave të privatëve.

Ky është ligji i Korporatës së Investimeve Strategjike. U them himariotëve dhe Bregut se po ua marrin tokat, ka gjetur ky disa investitorë grekë. Them që PD në pushtet do e anulojë këtë ligj pasi shkon në kundërshtim me qëndrimin e PD ndaj pronës.

Jam plotësisht dakord që baza ligjore është një ligj që në fakt shkatërron sigurinë juridike të pronës private në tërë Shqipërinë,” tha Berisha.