‘Rama bleu kryetarin e opozitës’, Ndoka: Bojkoti i Reformës Territoriale nga Basha, arsyeja përse kemi humbur

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka ka qenë i ftuar në emisionin “Pushteti” në Fax News, ku ka folur lidhur me nismën e ndërmarrë nga kryedemokrati Lulzim Basha për një Reformë të re Territoriale.

Ndoka tha se nuk besonte se kjo nismë e ndërmarrë bëhej për interesin e qytetarëve, duke kujtuar se kryedemokrati, Lulzim Basha më herët kishte bojkotuar Reformën Territoriale. Ndër të tjera Ndoka shtoi se në atë kohë kur Basha mori këtë vendim, dyshonin nëse kjo vinte nga paaftësia e tij apo ishte bërë qëllimisht.

Pyetje: Opozita e atëhershme nuk ka pasur interesa si sot për të shtruar një reformë të vërtetë territoriale? E shihni këtë nismë realisht në interes të qytetarëve?

Kryetari i partisë Demokristiane, Nard Ndoka: Që t’i biem në kokë, e para gjithmonë na ka munduar ky realitet se Basha është i paaftë dhe i papjekur apo i bën me qëllim, është i marrë peng. Ky ka qenë mendimi i të gjithë aleatëve.

Bojkoti i Reformës Territoriale është diçka skandaloze vendim i shpejtë dhe i pakuptimtë që u mor nga Basha. Tentoi më tepër pazaret dhe papritur bojkotoi Reformën Territoriale. Në atë kohë ne kemi gjykuar se ishte i paaftë dhe i papjekur politikisht për të kuptuar rëndësinë e kësaj reforme. Sot kemi arritur në një stad ku e kuptojmë se ky tashmë si peng detyrohet të nxjerrë justifikime. Basha nuk arriti as standartin e Fatmir Xhafës i cili ishte më i interesuar për të mbrojtur edhe Reformën në Drejtësi që u votua. Ndërsa Pengu Basha e votoi me sy mbyllur pa e analizuar Reformën në Drejtësi.

Jo vetëm që na ka dëmtuar kjo, por ky është shkaku kryesor përse ne kemi humbur. Përvec synimit për të bërë sistemin partiak dypolar, Rama shkoi më tej dhe e bëri sistemin njëpartiak duke blerë liderin e opozitës. Është hera e parë që blihet lideri i opozitës në Shqipëri.