E mbanin të fshehur prindërit e saj, gjendet e gjallë 6 vjeçarja e zhdukur që në 2019-ën

Një vjazë 6 vjeçare e cila ishte e zhdukur që nga viti 2019, u gjet e gjallë në New York ditën e djeshme.

Vogëlushja Paisley Sultis u gjet nga policia në një dhomë të fshehur nën një shkallë në një shtëpi në Saugerties në Ulster County.

6 vjeçarja sipas autoriteteve u rrëmbye nga prindërit e saj kur humbën kujdestarinë në vitin 2019 dhe që atëherë e mbanin të fshehur në shtëpinë e gjyshit të saj.

Megjithatë, një informacion e çoi policinë në Saugerties dhe aty zbuluan se poshtë shkallëve prej druri të shtëpisë që të çonin në bodrumin e shtëpisë kishte një dhomë të vogël dhe brenda ishte Paisley.

Paisley ishte 4 vjeç kur prindërit e saj humbën kujdestarinë e saj dhe motrës së saj më të madhe në "Cayuga Heights", e cila është më shumë se 200 kilometra nga vendi ku u gjet e vogla, sipas Daily Freeman lokale . 

Nuk është e qartë pse prindërit humbën kujdestarinë e fëmijëve. 

Vajza e madhe, e cila ishte në shkollë ditën e rrëmbimit, kishte përfunduar në një familje tjetër, ndërsa më e vogla mungonte ditën që prindërit e saj u transferuan në Saugerties, tha policia.

Prindërit e vajzës, Kirk Sultis dhe Kimberly Cooper, si dhe gjyshi i saj do të përballen me akuzat e ndërhyrjes në kujdestari dhe ekspozimit të një të mituri në rrezik .

Paisley u ekzaminua nga mjekët dhe u zbulua se ishte në gjendje të mirë shëndetësore përpara se të vendosej nën kujdesin e kujdestarit të saj ligjor.

Sipas shefit të policisë së Saugerties, Joseph Sinagra, 6-vjeçarja nuk ka shkuar në shkollë për dy vite dhe nuk ka marrë asnjë arsimim në shtëpinë e gjyshit të saj, ku ishte fshehur.

Shtëpia ku mbahej e fshehur 6 vjeçarja

Prindërit e vogëlushes

Vogëlushja Paisley Sultis