Bardh Spahia: Atmosfera në Shkodër pozitive, qytetarët do votojnë Shtëpinë e Lirisë

Kandidati i Shtëpisë së Lirisë për Bashkinë e Shkodrës, Bardh Spahia, në intervistë në emisionin A Show të moderatorit Adi Krasta në Syri Tv, ka komentuar zgjedhjet e 6 marsit.

Spahia theksoi se atmosfera në Shkodër paraqitet pozitive. Ai shton se qytetarët janë të bindur se vota e tyre do shkojë për opozitën e vërtetë, për demokratët e vërtetë, për Shtëpinë e Lirisë.

“Kemi zhvilluar takim me qytetarët, që kanë qenë shumë interesante e duke adresuar problematiket që shtronin njerëzit. Kemi zhvilluar takim me rëndësi me intelektualë në Bashkinë e Shkodrës. Pjesëmarrësit diskutuan me seriozitet të madh problemet që ka qyteti e bashkia jonë.

Shkodra ka mendje të ndritura, që nëse bashkohen mund të japin ide fantastike. Situata është dinamike. Atmosfera është pozitive. Qytetarët janë shumë të qartë për të dhënë votën për Shtëpinë e Lirisë. Bashkinë e Shkodrës do e drejtojnë demokratët e vërtetët, përfaqësuesit e Shtëpisë së Lirisë. Latinët shprehen se aty ku ka qelb, duhet të hiqet e Shtëpia e Lirisë është gati ta pastrojë Shkodrën e vendin nga e keqja”, deklaroi Spahia.