Tërheqja e rusëve, zëdhënësi i qeverisë franceze: Nëse informacioni është i saktë, ajo do të ishte ‘shenjë pozitive’

Franca ende nuk ka vërtetuar nëse Rusia është duke tërhequr një pjesë të trupave nga kufiri i Ukrainës, por nëse informata është e saktë, ajo do të ishte “shenjë pozitive”, tha zëdhënësi i qeverisë franceze, Gabriel Attal.

“Nëse vërtetohet, kjo është gjë e mirë. Kjo tregon se ne mund ta vazhdojmë dialogun, se rruga e diplomacisë është një rrugë në të cilën ne mund të lëvizim së bashku”, tha Attal para gazetarëve.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha më herët se disa trupa nga distriktet ushtarake afër Ukrainës do të kthehen në bazat e tyre pas përfundimit të ushtrimeve. Kjo deklaratë shkaktoi rritje të vlerës së rublës ruse në tregun e këmbimit të valutave, shkruan Reuters.

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s i mirëpriti sinjalet se Rusia mund të jetë duke kërkuar zgjidhje diplomatike pas grumbullimit të trupave afër kufirit ukrainas, por i bëri thirrje Moskës që ta dëshmojë vullnetin e saj për të vepruar.