Kokainë, armë dhe diamante/ Paratë e krimit investoheshin në Shqipëri

Një mega-operacion kundër mafies shqiptare në Belgjikë po dominon lajmet kryesore në këtë vend. Operacioni nisi në orën 4 të mëngjesit dhe mendohet se është operacioni më i madh anti-drogë i kryer në këtë vend.

Të paktën 200 banesa janë bastisur jo vetëm në Belgjikë, por edhe në Gjermani, Holandë, Itali, Spanjë e Kroaci.

Sipas portalit më të madh belg, HLN, të paktën 30 persona janë arrestuar. 

Policia ka sekuestruar armë, kokainë, para të thata, ora luksoze, diamante dhe makina.

Edhe ky operacion erdhi pasi hetuesit arritën të dekodojnë miliona mesazhe që përdoreshin nga banda shqiptare në aplikacionin SKY ECC.

Portali HLN shkruan se me shumë gjasë ky operacion është i lidhur me një tjetër mega-operacion të zhvilluar në Bruksel tetorin e shkuar.

Mendohet se në këtë operacion janë arrestuar personazhe VIP të krimit. Ndërkohë droga sillej në portet e Belgjikës, por edhe të vendeve të tjera evropiane, më kontejnerë nga vendet e Amerikës Latine, kryesisht Brazili, Ekuadori, Kolumbia dhe Peruja.

Paratë e krimit investoheshin në Belgjikë, çka ishte kthyer në shqetësim. Por këto para investoheshin me lehtësi edhe në Shqipëri.

“Në kryeqytetin tonë po zhvillohet një luftë e vërtetë drogë. Ka një përplasje për territoret mes dy klaneve që ka rezultuar në të paktën tetë larje hesapesh, si në vendin tonë, ashtu edhe në Shqipëri,” shkruan HLN.