Një shqiptari i besohet programi që i shërben NASA-s dhe ushtrisë amerikane

Bëhet e ditur se Qeveria amerikane, më saktësisht Departamenti i Punëve të Brendshme ia besoi krijimin e një programi që i shërben ushtrisë amerikane shqiptarit nga Kosova,  Xhafer Rama.

Ndër qindra aplikantë, në moshën 24-vjeçare ai arriti që me punën e tij t’i bashkohet Agjencisë Kombëtare Hapësinore Amerikane, që njihet me akronimin NASA.

Ai i kishte kaluar të gjitha testet, por kur erdhi dita për të marrë “çelësin” që i hapte dyert e zyrave në NASA, në sistem nuk figuronte Kosova.

“Ka qenë interesante, sepse kur unë shkova të marr bexhin ose aksesin për në zyrat e NASA-s, ishte e nevojshme ta kishe atë bexh, unë isha personi i parë nga Kosova edhe ata nuk e kishin pasur Kosovën të listuar në opsionet e pajisjes me bexh”, rrëfen Rama.

Inxhinieri softuerik, Xhafer Rama nga Turuqica e Podujevës, është i pari shtetas nga Kosova që në sistemin e NASA-s bëri të mundur të njihej edhe Republika e Kosovës si shtet.

“Është dashur të pres gjithë ditën që të vendoset Kosova në listë edhe të marr unë bexhin. Për fat të mirë, edhe emrin e Kosovës e kanë vendosur si opsion të shteteve për të hyrë në NASA”, tregon Rama.

Ai ka rrëfyer për Telegrafin gjithë përvojën e tij në këtë institucion prestigjioz dhe punën që bëri në shërbim të Departamentit amerikan për Punë të Brendshme.

“Ne kemi lansuar një platformë që i shërben Ministrisë së Brendshme të Amerikës. Kjo platformë ka pasur për synim t’i marrë të gjitha të dhënat e sëmundjes që quhet "Chikungunya".

Tani, sa herë që zbarkojnë trupat amerikane, një prej gjërave që kontrollojnë është edhe është një prej zonave të prekura nga kjo sëmundje? Dhe e  kanë përdorur këtë platformë”, shpjegon ai, duke shtuar se pas një viti punë u lansua platforma.

Në shkopin e një astronauti në bazën e NASA-s është shkruar emri i Xhafer Ramës për nder të suksesit që pati platforma e krijuar nga ai.

“Kjo platformë ka marrë vendin e parë prej platformave më të përdorura e më të suksesshme në bazën e NASA-s në vitin 2018. Si shpërblim emri im është shkruar në shkopin e një astronauti dhe është në ndërtesën e 33-të të NASA-s”, thekson ai.

Deri në NASA, Rama arriti pas bursës që kishte fituar dhe shumë projekteve që kishte krijuar gjatë studimeve. Synimi i tij është të fuqizojë edhe gjeneratat e reja në Kosovë në fushën e teknologjisë, ndërkaq ka në plan edhe projekte të mëdha në lidhje me këtë përkrahje që do t’u japë të rinjve në Kosovë.