VIDEO/ Berisha akuza Bashës: Rastisi 'arrë me vrimë'. Ka dy hetime ndërkombëtare për lidhje me krimin

Lideri historik i PD, Sali Berisha akuzoi nga Lushnja Lulzim Bashën për lidhje me krimin, ndërsa shtoi se ndaj tij ka dy hetime të forta ndërkombëtare. 

Gjatë takimit me të rinjtë e FRPD, Berisha u shpreh se ai e ka mbështetur më shumë se askush Lulzim Bashën me besimin se përfaqësonte një gjeneratë të re, por që rezultoi 'arrë me vrimë'. 

"Ky revolucion ka synim madhor vendosjen e rinisë shqiptare në piedestalin që meriton. Duhet të luftojnë  shumë për këtë fitore sepse kemi në një anë qeverinë që e prej 15 vitesh e ka qeverisur këtë qytet, nga ana tjetër Edi Rama ka rrëmbyer logon e PD dhe ja ka dhuruar atë pengut të tij Lulzim Brava me qëllimin e vetëm për të mashtruar zgjedhësit.

Shpjegoni çdo qytetari të Lushnjes se vota për ndryshimin është vota për “Shtëpinë e Lirisisë’.

Çdo votë me logon e rrëmbyer është votë e humbur. Asgjë nuk i lidh demokratët e Lushnjes me një njeri që është në dy hetime të forta ndërkombëtare në lidhje me krimin

Unë e kam mbështetur më shumë se askush tjetër, me bindjen se përfaqëson një gjeneratë të re, por ai rastisi siç thotë populli 'arrë me vrimë', arrë e prishur", u shpreh Berisha përpara të rinjve të Lushnjes.