Përplasja Moskë–Kiev/ Burimi: Ukraina është braktisur nga SHBA, e ka lënë në mëshirë të fatit

Analisti Genc Burimi në një intervistë me Skype për emisionin Task Force të moderatores Sonila Meço në Syri Tv, ka komentuar përplasjen mes Moskës e Kievit.

Burimi theksoi se Ukraina është braktisur sot nga Amerika, njësoj siç SHBA bëri në Afganistan. Ai shton se Ukraina gjendet në mëshirë të fatit.

“Sot lajm botëror ka qenë që Putin e Lavrov kanë zhvilluar mbledhje më shumë teatrale, duke thënë se çfarë do bëhet në Ukrainë. Moska ka kërkuar që Ukraina të mos hyjë në NATO e kjo kërkesë ka qenë përherë e kundërshtuar. Rusia kërkon të mos ketë manovra ushtarake në vijën ndarëse mes NATO-s dhe Moskës.

Uashingtoni ka pranuar një nga kërkesat. Për të dalë nga situata, mendoj se Gjermania e Franca duhet të bëjnë diversion brenda vetes e t’ju thonë amerikanëve e ukrainasve që edhe nëse doni juve, neve do votojmë veton tonë kundër hyrjes suaj në NATO. Vetëm kjo mendoj se e qetëson gjendjen. Sot Ukraina është braktisur nga SHBA, e ka lënë në mëshirë të fatit, siç u braktis Afganistani, sepse Amerika nuk çon dot ushtarë në territorin ukrainas”, deklaroi Burimi.