VIDEO-SYRI TV/ Rrokada Gjiknuri-Ahmetaj në Vlorë, Rama ‘shkarkon’ në bllok drejtorët

Situata e trazuar brenda Partisë Socialiste në qytetin e Vlorës dhe lëvizjet e drejtuesve politikë ka sjell shkarkimin në bllok të të gjithë drtejtorëve të institucioneve kryesore në këtë qytet. Largimet vijnë pas ultimatumit të kryeministrit, që e argumentoi kërkesën me ankesat e shumta të qytetarëve.

Nga SYRI TV

Largimi i Damian Gjiknurit si drejtues politik nga Vlora, dhe zëvendësimi me Arben Ahmetajn, ka thelluar përplasjet brenda Partisë Socialiste në këtë qytet.

Kjo e hënë ka sjellë furtunë shkarkimesh në radhët e drejtuesve të institucioneve. Erion Osmënaj, i njohur për lidhjet familjare me Gjiknurin, ishte i pari që dha dorëheqjen nga detyra në janar të këtij viti, duke u zëvendësuar në këtë detyrë nga Avieri Hoxhaj.

‘Kurban’ është bërë dhe drejtuesja e ISHSH-së Vlorë, Najada Idirizi, e cila u zëvendësua nga Brunilda Saliu. Fatos Muka, drejtues i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Vlorë gjithashtu është zëvendësuar nga Shpëtim Aliaj, i cili mbante postin e zv.drejtorit në policinë e Vlorës. Dorëheqjen kanë dhënë dhe Alma Bakiu drejtuese e zyrës arsimore. Në Doganën e Vlorës është emëruar Artan Bedini, pas largimit të Kosta Vjerros.

Edhe Admir Malaj, i cili synon dhe të bëhet kryetar i PS në Vlorë, pritet gjithashtu të largohet nga drejtimi i Portit të Vlorës. Lufta politike pritet të prek edhe prefektin Flamur Mamaj, i cili gjithashtu, sipas burimeve, do të largohet nga detyra.

Por pavarësisht luftës së brendshme Gjiknuri-Ahmetaj, dy drejtues institucionesh kanë refuzuar të japin dorëheqjen. Ata janë Besnik Stefa drejtor i SRSHTRR, si dhe Vullnet Bilbilaj drejtor i Postës.

Këto shkarkime kanë ardhur fill pas ultimatumit të vënë nga kryeministri Rama me drejtuesit e institucioneve, duke e justifikuar këtë kërkesë të tij me faktin se janë ankuar qytetarët.