Aksident pranë bazës ushtarake në Kuçovë

Një aksident pranë bazës ushtarake në fshatin Meteor në Kuçovë është regjistruar gjatë pasdites së të dielës.

Dy automjetet njëri tip ‘Golf’ me targa AB 721 AP dhe tjetri ‘Seat Ibiza’ me targa AA 466 GC, janë përplasur dhe si pasojë, mjeti Seat Ibiza ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar i përmbysur në kanal.

Mësohet se mjetet kanë qenë duke qarkulluar në të njëjtin sens, por ende nuk dihet se si ka ndodhur goditja mes tyre, pasi në momentin e aksidentit ka qenë duke rënë një breshër i fortë.

Fatmirësisht aksidenti ka shënuar vetëm dëme të mëdha materiale, ndërkohë që çifti që ndodhej në mjetin tip ‘Golf’ dhe drejtuesi i mjeti tip ‘Seat’ kanë dalë pa lëndime nga mjetet.

Në vendngjarje kanë shkuar efektivë të shumtë të policisë rrugore, që po kryejnë edhe këqyrjen e vendit të aksidentit, për të zbuluar edhe dinamikën e tij.

Burimet policore në vendngjarje nuk konfirmojnë ende se cili prej mjeteve ka shkaktuar aksidentin, ndërkohë që mendohet se shkak mund të ketë qenë edhe koha e keqe dhe lagështira në rrugë, edhe pse nuk përjashtohet edhe shpejtësia me të cilën kanë qenë duke qarkulluar të dyja mjetet.