Pse deputeti socialist Alqi Bllako, duhet të jetë në qeli me Lefter Kokën?/ Gazetari publikon faktet

Afera korruptive 430 milion euro e inceneratorëve deri tani ka pas hekurave vetëm një person, ish ministrin e Mjedisit Lefter Kokën, por rrethi i personave të përfshirë në këtë aferë është shumë më i madh.

Në postimin tij në Facebook, gazetari Elvi Fundo ka publikuar dy dokumente, përgjigjen që Ministria e Financave i ka kthyer asaj të Mjedisit në datën 2 mars 2017 dhe një shkresë tjetër që mban firmën e Bllakos dhe i drejtohet Bashkisë së Tiranës e cila mban datën 28 shkurt 2017.

Sipas gazetarit, një nga personat përgjegjës, që duhet të jetë pas hekurave është edhe deputeti i PS Alqi Bllako, i cili ka qenë sekretar i Kokës në Ministrinë e Mjedisit, ku edhe ka firmosur për koncesionin e inceneratorit të Tiranës.

Ndërkohë që abuzimet dhe shkeljet ligjore të Alqi Bllakos janë konstatuar edhe nga KLSH dhe Auditi i Ministrisë së Financave.

Postimi i plotë i Elvi Fundo:

Ish-ministri i Mjedisit është në burg për aferën e inceneratorëve.

Alqi Bllako ka mbushur gjithë Tiranën se nuk ka firmosur asgjë, është i pastër në të gjithë këto histori, megjithëse ka qenë sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe ka firmosur një mal me shkresa. Unë po sjell dy dokumenta të cilat janë treguar në TV, por anashkalohen.

I pari, tregon një përgjigje të ish -ministrit të Financave Arben Ahmetaj, sot zv/kryeministër. Përgjigja e tij e datës 2 mars thekson të merret mendim nga Këshilli i Qarkut, duke qenë se nuk do financohej nga qeveria, por nga buxhetet lokale të bashkive të qarkut Tiranë. Kjo shkresë e Ahmetajt vjen në përgjigje të shkresës dërguar nga Lefter Koka në daten 21 shkurt. E saktë e qartë. Çon shkresë një ministri, përgjigjet tjetra.

Ministria e Mjedisit, përgjigjen e ka marrë në datën 03.03.2017 një ditë më pas.

Dokumenti i dytë është edhe qershia mbi torten e demokratit, të LSI-së, bërë socialist me emrin Alqi Bllako.

Dokumenti tregon se Bllako i ka çuar shkresë Bashkisë Tiranë, kryebashkiakut Erion Veliaj, për miratimin e procedurave koncesionare, si pasojë e kërkesës që ka bërë Ministria e Financave, vetëm se E KA NISUR PËRPARA se ti vinte përgjigja nga Ahmetaj.

Shkresa mban datën 28.02.2017, pra të pakten tre ditë përpara se Ahmetaj ti çonte përgjigjen.

Pra Financat i thanë në 3 mars merr Mendim, ndërsa Alqi e kishte kërkuar Miratimin 3 ditë më parë duke theksuar se ishte kërkesë e Financave, megjithse ata ende s’kishin kthyer përgjigje.

Ku e dinte Alqi 3 ditë përpara ç’do thoshin Financat?  

Qartazi duket se janë cuar kërkesa në institucione paralelisht pa marrë më parë miratimin e strukturave përgjegjëse. Njëherë del mendim, pastaj nga një Bashki kërkohet miratim, të tjerat nuk e japin, koncesioni firmoset 31 gusht 2017.

Një lemsh procedurial për të shmangur në finale përgjegjësinë ligjore për dhënien me koncesion të inceneratorit të Tiranës me vlerë 128 milionë euro. Vlera totale shkon edhe disa qindra milionë të tjera, këto para vijnë nga pagesat e bashkive, pagesat e bizneseve private etj.

Alqi Bllako nuk duhet të shëtise në parlament me mandat deputeti, por të japë përgjigje përpara drejtesise, për keto abuzime e shkelje të ligjit, konstatuar dhe firmosur tashmë edhe nga KLSH dhe Auditi i Ministrisë së Financave.

Sa për pagesat për babain, rrogën për vëllain në kompanitë ku janë pronarë Klodi apo Mireli, ka më shumë ditë se kuleçë.