Berisha: Lulzim Brava e dorëzoi Shkodrën në 2019, Voltana Ademi qëndroi e pamposhtur

Koalicioni opozitar 'Shtëpia e Lirisë' prezantoi këtë të shtunë kandidatin për kryetar bashkie, Bardh Spahia. 

I pranishëm në takimin me demokratët shkodranë, lideri historik i PD, Sali Berisha kërkoi votat për opozitën dhe kandidatët e saj në zgjedhjet e 6 marsit. 

Berisha tha se Shkodra qëndroi në anën e duhur të historisë edhe kur PD gaboi dhe Lulzim Basha e dorëzoi në vitin 2019, por shtoi se kryebashkiakja Voltana Ademi qëndroi e pamposhtur. 

Shkodra në 6 mars, vijoi Berisha, do të votojë edhe për largimin e qeverisë më të korruptuar që ka patur vendi. 

"Në këto 30 vite Shkodra nuk gaboi. Edhe kur gaboi PD, qyteti qëndroi në anën e drejtë që duhet të qëndronte. Në këto 30 vite, kur Lulzim Brava e dorëzoi në 2019 Shkodrën, e mbajti Voltana Ademi dhe qëndroi e pamposhtur. Detyrimet tona ndaj jush janë të pakufijshme, ndaj dhe ju ftoj që të vazhdojmë këtë udhëtim së bashku në një moment kritik.

E vërteta është ndofta në momentin më kritik të këtyre 30 viteve, sepse sot këto zgjedhje nuk zhvillohen njëlloj siç duhet të zhvilloheshin ku opozita përballej me qeverinë. Këto zgjedhje zhvillohen sot në një qeveri e cila bazohet tërësisht mbi krimin, drogën, vjedhjen dhe korrupsionin. Mbi një qeveri e cila duke shkelur çdo parim demokratik, merr peng pluralizimin dhe mendon se në këtë mënyrë do të zgjatë jetën e regjimit.

Por ja ku jemi këtu, në Shkodër, më e vendosur se kurrë, me opozitën e vërtetë të mbrojë me votën e saj të lirë pluralizimin politik jo vetëm në Shkodër, por në mbarë Shqipërinë.

Në këto zgjedhje ju votoni për kryetarin e ri të bashkisë, por votoni edhe për të përcjellur, për t'i prerë biletën sa më shpejt kryetarit të Meduzës në Tiranë, Edvin Ramës. I cili ka përdorur çdo mjet dhe degradoi te zgjedhjet me tritol dhe me drogë. Ka bërë çdo gjë për të shkelmuar votën tuaj dhe të shqiptarëve në tërësi.

Armik i egër i Shkodrës dhe kjo vetëm e vetëm si hakmarrje primitive atërore. Nuk mund të pajtohet ai kurrë me qëndrimin e Shkodrës dhe shkodranëve ndaj komunizmit, regjimit të etërve të tij. E diskriminoi, i ndërpreu të gjitha investimet, bëri gjithçka por nuk e mposhti dot. Unë jam i bindur se në 6 mars Shkodra do të ngadhënjejë mbi të keqen, mbi të shkuarën, do të votojë birin e saj, qytetarin e saj, intelektualin, mjekun Bardh Spahia. 

Bardh Spahia mishëron vlerat më të mira të mëkuara nga ky qyteti bekuar, mishëron trashëgiminë e shkëlqyer të familjes dhe të atit të tij që ishte një intelektual vigan dhe i pamposhtur. I bënte nder Shkodrës, Shqipërisë dhe kombit me karakterin e tij, me dijenitë e tij, me qëndrimet e tij.

Shkodra është djepi i mendimit shqiptar, i idealeve demokratike, i sakrificave të jashtëzakonshme për këto ideale. Ndaj kam bindjen se 6 marsi do të jetë festa e fitores së shtëpisë së lirisë. E fitores së Bardh Spahisë, e fitores së çdo qytetari, të çdo banori qytetar i Shkodrës dhe çdo banori të këtij rrethi", u shpreh Berisha.