Sfidë spektakolare, Manchester United ndalet nga Southamptoni i Brojës

Në stadiumin “Old Trafford”, u luajt sfida midis Mançester Junajtid-Sauthempton, e vlefshme për javën e 25-të në Premier Ligën angleze.

Southampton vazhdon të surprizojë ekipet e mëdha në Premier League. Pasi mposhti në sfidën e fundit Tottenhamin me përmbysje, tashmë ekipi ku aktivizohet edhe Armando Broja ka marrë një pikë kundër Manchester United.

United kaloi i pari në avantazh në minutën e 21 me anë të Jadon Sancho. Marcus Rashford i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes kundërshtare dhe arriti të pasonte një top për Sancho në zonë. Ky i fundit me portën e boshatisur nuk e kishte të vështira ta çonte topin në rrjetë.

Megjithatë, në fillimin e pjesës së dytë, ishte Che Adamas ai që baraspeshoi gjithçka. Sulmuesi anglez doli i vetëm përball De Geas dhe me një goditje në cepin e portës, i ndihmuar edhe nga shtylla shënoi golin që çoi rezultatin në 1-1.

Në pjesën e mbetur të takimit, Armando Broja pati një rast të mirë shënimi, por nuk ia doli dot të mposhte portierin De Gea. Kështu, takimi u mbyll në barazim, me të dyja ekipet që ndanë nga një pikë.

Ky është barazimi i dytë për Manchester United me të njëjtin rezultat, duke shpërdoruar një mundësi të mirë për tu ngjitur në vendin e katërt. Ekipi i Rangnick qëndron në vendin e pestë me 40 pikë, po aq sa West Ham i vendin të katërt.

Nga ana tjetër, Southampton renditet në vendin e 10 në kuotën e 29 pikëve.