Aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit, goditen dy raste në Vlorë

Policia e Vlorës vijon operacionin “Fati i lojërave”, duke goditur dy raste të tjera të zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Gjatë aksionit, policia ka vënë pranga 1 shtetas, proceduar penalisht 2 shtetas dhe dhe shpallur në kërkim 1 tjetër, si dhe ka sekuestruar 7 njësi kompjuterike, 2 USB, një printer dhe 2 celular.

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, si dhe bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati dhe fshehjen e të ardhurave, Strukturat e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat Hetimore të DVP Vlorë, kanë vijuar kontrollet e vazhdueshme në lokale dhe ambiente të ndryshme.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. H., 30 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. Ll., 38 vjeç, (pronar i lokalit).
Në ambjentet e lokalit të shtetasit Xh. Ll, u gjetën e sekuestruan 7 njësi kompjuterike, 2 USB, 1 printer dhe 1 aparat celular, të cilat shërbenin për ushtrimin e lojërave të fatit.
Si dhe u procedua penalisht shtetasi J. D.,55 vjeç, pasi u konstatua duke luajtur lojra fati, në një nga kompjuterat.

Gjithashtu në vijim të kontrolleve u procedua penalisht shtetasit G. Ç., 32 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e një lokali, në lagjen “Partizani” Vlorë, i është gjetur dhe sekuestruar një aparat telefoni celular, që e përdorte për lojra fati të paligjshme (baste sportive).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.