'Shqiptarët të largohen nga Ukraina'/ Edhe Meta shpërndan njoftimin

Presidenti Ilir Meta shpërndau njoftimin e Ministrisë së Jashtme, ku u bëhet thirrje qytetarëve shqiptarë të largohen nga Ukraina.

Njoftimi vjen pas paralajmërimeve se Rusia do sulmojë Ukrainën javën tjetër.

Ndërkohë një ditë më parë, Meta priti në një takim Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj.

"Ndamë shqetësimin e përbashkët me të gjithë partnerët tanë të NATO-s për kërcënimin e një agresioni të mundshëm rus ndaj Ukrainës, që do të ishte një shkelje flagrante e të drejtës ndërkombëtare.

Nënvizova rëndësinë e koordinimit sa më të efektshëm me Aleancën, si dhe marrjen e masave për vijimin e reformave në funksion të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse.

Në këtë kontekst, u vlerësua edhe plotësimi dhe fuqizimi i gjithë zinxhirit komandues në Forcat e Armatosura, në përputhje me sistemin gradë-funksion," tha Meta.