VIDEO/ Policia mësyn në laboratorin e kanabisit në Ndroq, tre arrestime, mes tyre punonjësit e OSHEE

Në Tiranë, Komisariati nr. 6 në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në afërsi të xhamisë së fshatit Pinet, Ndroq, një grua e kishte përshtatur banesën si ambient për kultivimin në kushte laboratorike të kanabisit, organizuan operacionin policor të koduar “Pinet".

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë: Eriban Daja, 29 vjeç për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike" kryer në bashkëpunim;

Qemal Hasa, 47 vjeç, elektricist pranë OSHEE-së për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe Erion Mema, 26 vjeç, faturist pranë OSHEE-së për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Organizimi i lotarive të palejuara".

Gjithashtu u procedua penalisht kryeplaku i fshatit Pinet, Elez Kapllani, 61 vjeç, për shpërdorim detyre.

Nga ana e Drejtorisë Rajonale të AMP Tiranë u procedua në gjendje të lirë punonjësi i Komisariatit nr. 6, Adrian Malliku, 39 vjeç, ndihmës-specialist për policimin në komunitet, në zonën e Ndroqit.

Po në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike kryer në bashkëpunim, Rudina Xhambazi, 32 vjeçe, e cila kishte marrë me qira këtë banesë.

Rudina Xhambazi, banesën e marrë me qira prej saj, së bashku me të arrestuarin tashmë Eriban Daja, i cili u kap në banesë gjatë ndërhyrjes së Policisë, e kishin përshtatur atë për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, kurse punonjësit e OSHEE, nuk i kishin konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim.

Gjatë kontrollit të telefonit të faturistit Erion Mema, u gjetën edhe programe për vendosjen e lotove sportive.

Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar 247 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 45 ushqyes elektrikë, 46 llamba elektrike, 11 freskuese, shuma prej 120.000 lekësh dhe 7 aparate celulare.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike" kryer në bashkëpunim, “Vjedhja e energjisë elektrike", “Shpërdorimi i detyrës” dhe "Organizimi i lotarive të palejuara".