Marotta kritikon pronarët e rinj të klubeve: Ndryshuan modelin e biznesit, qëllimi duhet të jetë i përbashkët

Giuseppe Marotta ka folur mbi situatën e futbollit italian. I ftuar në një konferencë në Univestitetin Bocconi në Milano, drejtori i përgjithshëm i Interit, u ndal kryesisht tek situata financiare dhe te modeli i ri i biznesit që kanë sjellë pronarët e huaj të klubeve.

“Sot qëndrueshmëria e klubit vjen përpara rezultatit. Është një parim që i jep jetë klubeve në afat të gjatë dhe duhet ruajtur, pavarësisht dallimeve me pasionet e tifozëve. Ardhja e pronarëve të huaj në këtë situatë ishte shumë e rëndësishme, sepse ndryshoi modelin e biznesit që në vendin tonë kishte në qendër patronazhin dhe bujarinë e sipërmarrësve.

Mendoj se ne të gjithë kemi një qëllim të përbashkët, që është të ofrojmë një produkt që është interesant. Prandaj them që “gjyqi” që bëhet është i kotë dhe i dëmshëm. Shpresa ime është që të gjithë ta kuptojnë se në fund të fundit puna kryesore është loja”.