Pochettino beson në një mrekulli: Mbappe vendos pas ndeshjes kundër Realit në Champions League

Trajneri argjentinas Mauricio Pochettino thotë se Kylian Mbappe do të vendosë për klubin ku do të luajë sezonin e ardhshëm pas duelit kundër Real Madridit në Champions League.

Mbappe është lidhur me një kalim te Real Madrid që nga merkato e verës, por pasi klubi francez refuzoi 180 milionë euro nga Klubi Mbretëror për të mbajtur Mbappe për një vit tjetër, sulmuesi 23 vjeçar tani mund të forcojë klubin spanjoll, si lojtar i lirë.

Madje, shumë media europiane shkruajnë se nuk është aspak e diskutueshme se ku do të luajë francezi sezonin e ardhshëm dhe se tashmë është “kokë” te Real Madrid. Nga ana tjetër, Pochettino beson ende te një “mrekulli”, më saktë se Mbappe do të rinovojë kontratën.

"Kylian do të marrë vendimin e tij për të ardhmen pas ndeshjes kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve. Për momentin ai është plotësisht i fokusuar të bëjë më të mirën që mundet me PSG-në," tha Pochettino përpara ndeshjes së Ligue 1 kundër Rennes.

Ai më tej tha se Mbappe respektohet nga të gjithë në klub dhe se është e qartë se i tij është vendimi përfundimtar.

"Ai është një profesionist i madh. Të gjithë e respektojmë. E dimë që vendimi i takon atij. Megjithatë, kjo nuk e rëndon dhe ai gjithmonë jep më të mirën në fanellën e PSG-së", ka shtuar trajneri i këtij klubi.

Ndeshja e parë mes PSG-së dhe Real Madridit do të luhet më 15 shkurt, ndërsa ndeshja e kthimit më 9 mars në Madrid.