Ndryshimet e klimës/ Australia thotë se koalat janë të rrezikuara

Australia e ka cilësuar koalën një specie të rrezikuar për shkak të presionit të paparë mbi habitatet e pemëve eukalipt të marsupialëve në shtetet lindore të vendit.

Ministrja australiane e  Mjedisit Sussan Ley tha se do të kishte mbrojtje më të madhe për kafshën, e cilësuar si e pambrojtur vetëm 10 vjet më parë, në Uellsin e Ri Jugor, Queensland dhe Territorin e Kryeqytetit Australian (ACT).

"Ndikimi i thatësirës së zgjatur, i ndjekur nga zjarret e verës dhe ndikimet kumulative të sëmundjeve, urbanizimit dhe humbjes së habitatit gjatë njëzet viteve të fundit janë faktorët që kanë bërë që koalat të hyjnë tek speciet e rrezikuara" tha ministrja Ley ditën e sotme.

Konservatorët kanë kërkuar prej kohësh më shumë mbështetje për koalën mes rënies dramatike të popullsisë në të gjithë vendin.

Një hetim vitin e kaluar në Uellsin e Ri Jugor, shteti më i populluar i Australisë, paralajmëroi se koala mund të zhdukej deri në vitin 2050.