VIDEO/ Deklarata e Bashës te SPAK, që nuk e zbardhi zyra e shtypit të PD

Deputeti Lulzim Basha është pyetur për shumë orë pasditen e djeshme nga prokurorët belgë në lidhje me dosjen e ‘Toyota Yaris’, që ata po vazhdojnë ta hetojnë me intensitet.

Pasi doli nga seanca e gjatë e pyetjeve, Basha foli për mediat, ndërsa zyra e medias së tij shpërndau pak nga deklarata e tij.

Në fakt, zyra shpërndau vetëm atë që duhej, dhe jo atë që tha Basha, i cili deklaroi se SPAK dhe BKH po bënin një punë shumë të mirë dhe pasi votoi shtyrjen e vetingut, deklaroi se mbështet plotësisht drejtësinë.

Më poshtë, keni deklaratën e Lulzim Bashës, e cila nuk u zbardh nga zyra e shtypit:

…Është që punonjësit e ndershëm të SPAK-ut dhe BKH-së kanë dhe do të kenë mbështetjen e plotë të PD-së për të ecur përpara në hetimin e të gjitha çështjeve nën juridiksionin e tyre, është arsyeja pse janë krijuar,është arsyeja pse financohet nga taksapaguesit shqiptarë. Nuk janë vartësit e askujt përveç të ligjit shqiptar dhe taksapaguesve shqiptarë dhe njëherë deklaroj mbështetjen e plotë ndaj tyre për të kryer detyrën e tyre në një luftë shumë të rreptë me krimin e organizuar, sepse është bërë e tillë për shkak të bashkëpunimit të qeverisë, të pushtetit dhe të politikanëve të korruptuar   me krimin e organizuar. Tani, jam i hapur për çdo pyetje.

Ishit në rolin e dëshmitarit apo të personit në hetim?

Basha: Sigurisht, në rolin e personit… sigurisht në rolin e personit që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Z. Basha, pse janë të interesuar prokurorët belgë për të marrë dëshminë tuaj? E dyta herë që vijnë në Shqipëri.

Basha: E vetmja gjë që mund t’ju them është (e para, prokurorët belgë kanë pasur një veprimtari përtej intervistimit tim…jo jo, këtu në Shqipëri) besoj se nuk e thyej këtu sekretin hetimor, sepse ai është i rëndësishëm të mbahet. E dyta që mund t’ju them, se unë personalisht kam bindjen, pra me aq sa ndava me prokurorët belgë që ishte një bisedë konstruktive dhe që I shërben hetimit dhe siç mund ta kuptoni në veçanti ju që ndiqni kronikën, në hetimet në zhvillim e sipër nuk mund të flas për detaje të tjerë.

Z. Basha, ia dhatë burimin e informacionit, prokurorëve belgë?

Basha: Sapo i dhashë përgjigje kësaj pyetjeje.

Ju keni deklaruar se do të jeni në dispozicion të grupit të hetimit në Belgjikë. Në fakt, kur thua do të jem edhe për SPAK-un dhe për llogari të hetimeve të Belgjikës, çfarë nënkuptoni? Keni informacione se zyrtarë të lartë janë të implikuar në këtë gjë?

Basha: Jo, nuk nënkuptoj asgjë përveç gatishmërisë totale për të bërë detyrën tonë, jo thjesht si qytetarë, por si forca politike që kanë treguar…

Gatishmëri për të dhënë dhe prova?

Basha:  Gatishmëri për  të bërë gjithçka si forca politike që i ka treguar shqiptarëve  se bën dhe sakrifica për të mirën e tyre, sepse nuk mund të ketë një Shqipëri të drejtë të zhvilluar me mundësi për të rinjtë, me punësim, me liri…

Çfarë nënkuptoni me sakrificë, z. Basha?

Basha: Pa luftuar lidhjet e politikës me krimin.

A ka pasur ndonjë akuzë ndaj jush për dekonspirim?

Basha: Me radhë….edhe një herë ju lutem.

Në këtë rast, a ka ndonjë lidhje midis politikës dhe parave?

Basha: Ju e dini denoncimin tim, ai ka qenë publik në parlamentin e Shqipërisë dhe është besoj një nga indiciet e hetimit që nisi dhe të procesit që vazhdon në Belgjikë, ndryshe nga ç’është deklaruar.  Unë i qëndroj gjithçkaje që kam deklaruar në parlament.

Z. Basha, në vitin 2020, prokuroria shqiptare e pushoi çështjen ndaj eksponentëve kryesore në këtë histori. Pse PD-ja dhe ju si denoncues në parlamentin e Shqipërisë nuk reaguat,ndërkohë që e vetmja që reagoi qe media?

Basha: E para e punës, PD-ja e ka të pamundur të ndjekë pushimin e çdo çështjeje të prokurorisë shqiptare. E dyta e dini dhe e kam pohuar publikisht se çështja nuk është mbyllur. Çështja po vazhdon. E treta dhe po jua përsëris, kemi të bëjmë me një realitet që unë shpresoj shumë që është i ndryshëm nga ai kur u pyeta për herë të parë. Ishte e njëjta ndërtesë po tjetër institucion. Ndaj dua dhe njëherë të përsëris mbështetjen time totale, mbështetjen e PD-së jo vetëm për këtë hetim dhe për drejtësinë belge, por edhe për punonjësit e ndershëm të SPAK-ut dhe BKH-së.