I ktheu borxhin e 8 janarit!

Basha nuk u mendua dy herë për të votuar zgjatjen e vettingut. Deputetët e tij u rreshtuan pa baza në aferën e Vettingut, që i jep pushtet të pakufizuar Edi Ramës, për të futur duart në sistemin e drejtësisë.

Atëherë, kur menduam se të paktën do shpëtonte diçka, që kish mbetur jashtë zullumit të opozitës së gjuzëve dhe jenisherëve, doli dora vet, Lulzim Basha dhe e votoi,atëherë kur përbetohej se Reforma në Drejtësi ishte një aferë mafioze për të gjunjëzuar sistemin 

Në situatën që ndodhet nuk i kanë mbetur shumë zgjidhje, vetëm se të rreshtonte detashmentin e tij në krah të Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit. 

Edi Rama ka të gjithë të drejtën që ta reklamojë tashmë këtë “palo reformë” si arritje të qeverisë së tij. Normal, që nuk ka se si ndodh ndryshe. Në vigjilje të mandatit të tretë i duhej një arritje pas gjithë zullumhaneve që ka bërë dhe do bëjë. 

Kjo arritje i duhej të kishte jehonë, duhet të ishte e fortë. Era që qelb duhej të parfumosej me fjalët pa kuptim të asaj që duhej të ishte opozitë. 

Se reformën e do Amerika, BE-ja, është  ecja në rrugën e integrimit. O tempora o mores. 

I gjithë ky teatër i shëmtuar sa më s’bëhet, shoqërohet jo shumë në distancë me duartrokitjet  zonjës Kim, e cila se ka për gjë të mbyllë sytë në mes të ditës për inceneratorët, kanabisin, Ndrangheta-n e të gjitha skandalet e tjera dhe shfaqet e zellshme për të kërkuar “gjilpërën në kashtë”. 

Detashmenti i rilindjes është gati. 

Procesi i zëvendësimit të trupës në sistemin e gjyqësor medoemos duhet të kalojë nëpërmjet militantëve të Komisionit të Vettingut. 

Anëtarët e KLP apo KLGJ sërish ruajnë pak integritet në vetvete që të mos i binden verbërisht Edi Ramës. Prandaj, gjysma e gjyqtarëve  dhe prokurorëve që nuk e kanë kaluar këtë sajesë të neveritshme, me patjetër duhet të kalojë nga militantët e komisionit që më shumë përngjan si Fronti Demokratik në kohën e qoftë largut. 

Duhet, sepse merr urdhra direkt nga kryeministri. Çdo kush që duhet ta kalojë procesin duhet ti jetë borxhli atij.  

Ashtu siç do i jenë dhe zëvendësuesit, shokët dhe shoqet e FRESSH që po diplomohen në magjistraturë pa asnjë kriter, dhe kanë mbetur si mall stok në derë të Ulsiut.  

Detyra e Bashës dhe e deputetëve të tij ishte që mullarin e qenefit që ka bërë Rama të na e shiste si qyp mjalti. Gjë e vogël, thjeshtë do lëpinin atë që kishin pështyrë.  

Kur është puna për të shpëtuar nga mbytja kryeministrin, deputeti që mban me dhunë çelësat e selisë së PD-së nuk mendohet dy herë.  

Të tjerat pastaj se në këmbim do marrë reformën territoriale apo dhe reformën zgjedhore janë “dokrra hini”. Asgjë s’ka për të bërë. 

Ramës i duhet drejtësia për të shpëtuar veten dhe Basha duhej ti kthente borxhin e 8 janarit. Ai i dha policët e tij për të rrahur dhe helmuar demokratët sot Basha i jep deputetët për të futur në dorë gjyqtarin apo prokurorin më të fundit. Marrëdhënie ortakësh. Kaq e thjeshtë është!