Rama dhe Basha bashkuan votat për Vettingun, vjen reagimi i Yuri Kim

Pak minuta pasi Lulzim Basha dhe Edi Rama bashkuan votat për miratimin e ndryshimeve Kushtetuese që i zgjasin mandatin komisioneve të Vettingut, ka ardhur reagimi i ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim. 

Në një mesazh në Facebook, ambasada e ka cilësuar këtë moment si "një hap të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët".

Ky vendim, sipas SHBA-së, "do të na çojë drejt një sistemi drejtësie më të fortë dhe më të besueshëm duke i hapur rrugë integrimit europian".

Deklarata
Shtetet e Bashkuara përshëndesin miratimin e zgjatjes së mandatit të vetingut në Parlament. Ky është një hap i rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët – drejt një sistemi drejtësie më të fortë, më të besueshëm dhe drejt integrimit europian. Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin gjithmonë Shqipërinë përgjatë kësaj rrugë të rëndësishme.

Më herët miratimin në Kuvend e kanë përshëndetur dhe ambasadorët e BE-së dhe Gjermanisë. Ata e kanë cilësuar këtë një vendim të rëndësishëm që do t’i hapë rrugë Shqipërisë drejt integrimit në BE.

Parlamenti miratoi me 118 vota pro, 0 kundër dhe 4 abstenim, ndryshimet Kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut.