Von der Layen: Rusia nuk furnizon më shumë gaz, pavarësisht çmimeve të larta

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, deklaroi se tensionet aktuale gjeopolitike kanë një çmim dhe se Rusia nuk ka ndërmend të dërgojë më shumë gaz në Evropë, pavarësisht çmimeve shumë të larta.

Duke folur në aktivitetin “Ditët e industrisë së BE-së” të mbajtur në Bruksel, Von der Layen vuri në dukje rritjen e shpejtë të çmimit të gazit në Evropë dhe kujtoi se Evropa importon 90 për qind të gazit të saj.

Ajo shtoi se kërkesa për gaz është rritur në nivel global për shkak të rimëkëmbjes ekonomike.

"Tensionet aktuale gjeopolitike kanë gjithashtu një çmim. Ne importojmë më shumë se 40 për qind të gazit tonë nga Rusia. Duket se Rusia nuk është e interesuar të rrisë furnizimin me gaz, pavarësisht çmimeve të larta aktualisht," tha Von der Layen.

Duke theksuar se zënia e depozitave të gazit në Evropë është nën nivelin e kërkuar, Von der Layen shpjegoi se dërgesat e gazit në Evropë përmes gazsjellësit Yamal të Gazprom dhe përmes Ukrainës janë gjithashtu në nivele të ulëta.

"E gjithë kjo tregon se Gazprom nuk po sillet si një furnizues i zakonshëm gazi.

Duket se interesat e kompanisë dhe politika janë të ndërthurura," tha Von der Layen.

Ajo tha se BE-ja është duke negociuar në mënyrë aktive me partnerë si Shtetet e Bashkuara, Norvegjia, Algjeria, Azerbajxhani dhe Katari për furnizimin me gaz dhe se Komisioni Evropian do të propozojë masa të ndryshme për shtetet anëtare në të ardhmen e afërt.