Droga vinte nga Shqipëria, kapet sasi e madhe marijuane në Kosovë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë një aksioni antidrogë të ndërmarrë në Konushefc të Podujevës, ka mundur të sekuestrojë 91 kilogramë lëndë narkotike marijuanë.

Në pranga ka përfunduar një 55 vjeçar me inicialet F.M nga ky fshat, ndërkohë që 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.

“Droga dyshohet se ka origjinë nga Shqipëria dhe ka kaluar përmes Prizrenit në Podujevë. Ka pasur destinim final vendet e BE-së”, thanë zyrtarët e policisë në një konferencë për media.

Policia kosovcare ka zbuluar se pas kontrollit të ushtruar në një automjet që po mbahej nën mbikqyrje, pasi dyshohej për përfshirjen në veprimtari kriminale, ka mundur të sekuestrojë 34 paketime me marihuana të cilat peshojnë mbi 91 kilogramë, si dhe 650 euro.

Janë sekuestruar gjithashtu katër vetura, një me targa gjermane, një me targa austriake dhe dy të tjera me targa vendore si dhe mbi 650 euro.

“Personat në veturë nuk kanë përfillur urdhrat policorë për ndalje por kanë rritur shpejtësinë dhe më pas kanë goditur njërin prej policëve duke i shkaktuar lëndime të leha trupore. Kjo ka detyruar që njërin prej hetuesve ta shkrep armën dy herë pa shkaktuar pasoja në njerëz. Për këtë është njoftuar edhe Prokuroria. Më pas, vetura me targa gjermane është braktisur dhe të dyshuarit ia kanë dalë të arratisen në këmbë”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Narkotikëve, major Reshat Murselaj.