VIDEO/ Rama nuk e pranon gazetarin si përfaqësues, Marku: Ka siklet pyetjet që s'i jep dot përgjigje!

Gazetari Bled Marku, një nga banorët që do t’u shemben banesat në Laprakë, ka kërkuar të jetë në përfaqësinë e banorëve me të cilën Kryeministri kërkoi të bisedonte sot , por ai u refuzua hapur nga Rama.

Rama i zgjodhi vetë me dorë vetëm tre persona nga radhët e protestuesve, që të përfaqësonin familjet që iu shemben shtëpitë në rrugën “5 Maji”, Paskuqan dhe Laprakë, duke e përjashtuar publikisht Markun me fjalët: Ti jo, ti shko bëj propagandë në televizor”.

Pikërisht pas kësaj, Marku, gazetar i SYRI TV, deklaroi për mediat se cila qe arsyeja që Kryeministri refuzoi ta dëgjonte: “Unë jam një nga personat që e di më së miri çështjen e Unazës së Madhe, - tha Marku, -  që fillon nga sheshi “Shqiponja” e vazhdon deri në Shkozë e Kodrën e Priftit; e di dhe numrin e banesave, e di dhe adresën e çdo personi që i shembet, di dhe devijimet që janë bërë, ndaj Kryeministri, në një mënyrë, të pranueshme deri diku tha “shko bëj propagandë në televizor”...

Por Kryeministri nuk e di që unë s’kam dalë për propagandë këtu! As media! Profesioni im është i atillë, po unë sot kam dalë përpara Parlamentit se doja të takoja Kryeministrin Edi Rama për t’i shprehur shqetësimin tim, për t’i thënë “pse e ke vonuar legalizimin e banesave tash 9 vjet që je ti në qeverisje?! E lëmë “Shaban tapinë”, nuk e diskutojmë fare atë. Po ti që the se sot do të bëjmë gjithçka mirë! Prandaj, ata që preken nga Unaza duhej të ishin në takim me Ramën.

Banorët janë të ndërgjegjshëm dhe e dinë pak a shumë informacionin përsa i përket këtij projekti. E di unë - e di dhe pjesa tjetër, por më zgjodhën mua.

Tani, Kryeministri përzgjedh vetë me gishta “1, 2, 3 hajdeni me mua” dhe të tjerë nuk i përzgjedh, nuk u thotë “hajde”, se unë, ndoshta ka siklet, se mund t’i bëj një pyetje që nuk i jep dot përgjigje!

Unë do t’ua them banorëve, e di që do t’ua them dhe kjo është e gjitha. Prandaj të gjithë banorët, sidomos ata që preken nga zona e Unazës, nga “projekti korruptiv i Unazës së Madhe”, i devijuar i Unazës së Madhe, ai projekt që po gllabëron shumë milionë euro me Sallillarin dhe “sallillarë” të tjerë...  

Kryeministri nuk e do përfaqësinë aty se ka frikë se i bëhet pyetja që nuk duhet,  prandaj! Kjo është arsyeja e vetme!”- theksoi Bled Marku./ar.sh/SYRI.NET