Rapi Sota prezanton ekspozitën personale ‘-40°C’/ Aventura e një piktori në Montreal

Dimri tipik i Kanadasë, temperaturat ekstreme, pandemia globale dy-vjeçare nuk e kanë ndalur hovin për të gjetur të bukurën edhe mes këtyre vështirësive që njohu bota.

Por mesa duket ka gjithmonë dritë në fund të tunelit për të takuar më nga afër njerëzit, për të shkëmbyer eksperiencat qoftë edhe për të vlerësuar frymëzimin e kësaj periudhe që disa e panë edhe pozitivisht.


Rapi Sota, i njohur me emrin e artit Platonis, piktori shqiptar në Montreal sjell ekspozitën e tij të parë personale të titulluar – ‘-40°C’.

Në bashkëpunim me Ambigu-n, hapin dyert e galerisë për herë të parë këtë vit për të risjellë në vëmendje veçantinë e artit pamor.


Një ekspozitë e kuruar në detaje, ngjyra në telajo, të gjitha stinët brenda një galerie, janë mjaftueshëm arsye për ta vizituar nga afër artëdashësit.
Rapi (Platonis) shprehet se ka një raport mjaft intim me të gjitha punimet e tij artistike ndaj edhe secila mbart një vlerë të veçantë. Ai thotë se vlerën (edhe atë monetare) e marrin që në ngjizje, jo të gjitha mund ti përkasin secilit ambjent ndaj edhe diversiteti mes tyre sjell të bukurën.

Duke prekur nga afër mjaft herët tregun europian, pikturat e Platonis janë pjesë e koleksioneve të ndryshme artistike si në Shqipëri, Gjermani, Kanada apo Amerikë. Ai thekson se të gjitha tablotë e tij janë një përkushtim i madh, shpenzim i madh kohe dhe ndjesie shpirtërore ndaj edhe secilën prej tyre e ka trajtuar si të shtenjtë deri në çmim.


Piktura, ngjyra, peizazhe, ekspresionizëm, të gjitha këto në hapjen e madhe më 12 shkurt.
Në një intervistë për Albanian Montreal Press, Rapi Sota na shpjegon më tepër pse pandemia i shërbeu si frymëzim, punimet e tij të reja dhe pasionet e tij ”të çmendura” që lidhen njësoj më natyrën sa edhe piktura.

 

A mund të na tregoni diçka më shumë për ekspozitën tuaj personale, pse ky titull ”- 𝟰𝟬°𝗖”?
-40 është temperaturë tipike për dimrin në Kanada, por në kontekstin dy vjet Covid-19, Mercury -40 lexohet si temperaturë paralizuese. Unë ju thërras me forcën e artit tim, me egoizmin e ngjyrave të mia në një takim magjik me natyrën, njeriun dhe fantazinë time. Të përjetojmë momente emocionesh përtej të përditshmes, të udhëtojmë në hapësirë e në kohë, të shtegëtojmë drejt të ardhmes, e sinjaleve që na lidhin me artin dhe me shpirtin plot.

Cili është zhanri më i preferuar i pikturave tuaja?
Jam i apasionuar ndaj pikturës së lirë, sepse kur pikturoj nuk mendoj… Në momentin që dua, shpreh atë që ndjej ashtu siç më pëlqen, shpirti i dehur vallëzon mbi telajo e ndizet fishekzjarr.

 

Cilën ekspozitë apo cilën pikturë e konsideron më të suksesshme?
Kam marr pjesë rregullisht në mjaft ekspozita të arrira të galerisë prestigjoze AMBIGU në Montreal. Për mua, suksesi është prezantimi dinjitoz dhe nuk matet as me shitje e as me çmime.

 

Ku merrni frymëzimin për aktivitete artistike?
Frymëzimi është emocion që ushqehet e rritet me nota pafund muzike, mijëra parada veprash artistike, orë të tëra të kaluara në natyre mes vetmisë e botës së gjallë, e një jete të tërë në zhurmën e komedi-tragjedisë njerëzore.

 

Një përshkrim të qytetit ku jetojmë me simbolikën artistike tuajën, si mund të na i përshkruani?
Montreali është si kjo paleta e ngjyrave të punës time, të gjitha ngjyrat e botës janë këtu, të gjithe rracat e botës janë po aty. Përzihen, shkrihen, marrosen e dashurohen me njëra-tjetrën në madhështinë e  Saint-Laurent blu, në gjelbërimin pafund e në bardhësinë magjike të fytyrës nordike.

 

Pikturat me sfond bardhe e zi, përdoren për nostalgji antike apo origjinalitet profesional?
Unë jam artist kolorist e në artin e pikturës e bardha dhe e zeza nuk njihen si ngjyra… pikturat bardh e zi nuk shquhen për ekspresionizëm, krijohen për të shprehur dimensione të tjera të artit.

 

Nga piktorët e huaj që ju kanë lënë një mbresë të veçantë stili, cilët janë dhe përse?
Van Gogh e Dali për origjinalitetin e kreativitetin e tyre unik, madhështor e te paarritshëm.

 

Arti shqiptar dhe dinamika e një populli në interpretimin e tij si e kuptoni ju si artist?
Dhe pse vend i vogël, Shqiperia jonë ka pasur e ka plot artistë e piktorë  që me artin e tyre lënë gjurmë në histori. Komplimente e respekte për të gjithë ata që vazhdojnë të krijojnë e të frymëzojnë brezat e rinj.

 

A keni ju ndonjë pasion që  e ushtroni si hobi, përveç pikturës?
…..do marr çiften do dal për gjah…….çiftja bam e zagari ham…..
Njeriun, pasionet e frymëzojnë dhe e mbajnë gjallë, por sot po i vë emrin pasionit  tim për armet, zagarët e gjahut, shoqërinë e historitë pa fund me gjahtarët. E ka thënë dhe horoskopi… jam shigjetar…

Përditshmëria juaj, cili është stili juaj i jetës, si bashkëshort, krijues…?
Stili im me i ri janë numrat…..
Numër 1. Koha ime, jeta ime, drita ime është familja.
Numër 2. Si gjithë familjarët e të përrgjegjshëm, kohën e kam të kufizuar, buxhetin dhe shpenzimet jetike personale e familjare i mbuloj me punën time të përditshme…..mirë do ishte dhe nga krijimtaria artistike….  ndaj shpresoj dhe uroj fort që ekspozita të ketë dhe rentabilitet numrash…
Numër 3.(numri im me fat) Nuk do të rresht të bëj diferencën nga normalja e me ngjyra e penela të krijoj art, pasqyrën e shpirtit tim.

 

Bisedoi: Blerina Ruka