Kur një ikonë e shkencës pozicionohet në anën e gabuar...

Prof. Luc Montaigner është një prej ikonave të shkencës mjeksore, sidomos për dikë që si unë ka kaluar një pjesë të madhe të karierës mjeksore në programet e luftës kundër AIDS (SIDA). Prof. Montaigner mori edhe çmimin Nobel si një ndër kontribuesit kryesorë në zbulimin e virusit HIV, shkaktarit të AIDS.

Çuditërisht, pas fitimit të çmimit Nobel në vitin 2008, profesori u bë gjenerues dhe përhapës i disa ideve kontroverse. Ai publikoi një kërkim sipas të cilit materiali gjenetik i viruseve prodhon një rrezatim, i cili arrin të riprodhojë virusin edhe në distancë.

Kur ju kërkua që publikimin t'ja nënshtronte rishikimit shkencor nga shkencëtarë të tjerë (peer review), Prof. Montaigner refuzoi dhe e botoi shkrimin në një revistë pronë të vetën.

Edhe në një takim të Nobelistëve nga gjithë bota, profesori ngjalli debate dhe kundërthënie me deklaratat e veta.

Që nga fillimi i pandemisë, Prof. Montaigner është vendosur në qendër të shumë teorive konspirative. Fillimisht deklaroi me bindje se virusi është i prodhuar në laborator, ndërkohë që megjithë studimet e shumë institucioneve prestigjioze, kjo nuk është mundur të provohet apo mohohet me siguri deri më sot. Se si një profesor në pension (Prof. Montaigner është 89 vjeç) që nuk kryen më aktivitet shkencor në laborator, mund të shprehet me kaq siguri, mbetet e habitshme.

Javët e fundit, Prof. Montaigner ka folur publikisht kundër vaksinave, duke deklaruar se "sot shkenca ka provuar me siguri se vaksina nuk funksionon", sërish një deklaratë e çuditshme kur vjen nga një shkencëtar. Së pari, kur flet në emër të kolegëve, duhet t'u referohesh atyre. Një shkencëtar nuk flet me "shkenca ka provuar", aq më tepër kur publikime të shumta dhe përvoja klinike tregon se vaksina funksionon si në parandalimin e infektimeve, ashtu edhe në shmangien e vdekjeve.

Dëmi që bëjnë shkencëtarë si Prof. Montaigner kur pozicionohen në anën e gabuar, është i jashtëzakonshëm. Statura e keqpërdorur e shkencëtarit dhe Nobelistit dëmton shumëfish edhe kur krahasohet me një turmë prej mijëra anti-Vax-ësh.

Fatkeqësisht, një dëm i parikuperueshëm për jetën dhe shëndetin, i shkaktuar nga një person që kaq shumë i ka dhënë shkencës mjeksore...