Sulme agjenture? Telefonatat e rreme çmendin politikanët polakë: 'Gruaja të vdiq' - 'Kemi vënë bombë'

Një seri telefonatash të sajuara trondit Poloninë. Janë veçanërisht kritikët e qeverisë ata që ngacmohen. Në të njëjtën kohë, rasti i programit kompjuterik Pegasus tërheq vëmendjen: ka pasur mijëra sulme spiunimi.

Nga Jan Pallokat, DW.

Një seri e tërë telefonatash të sajuara, me sa duket nga telefona të njerëzve konkretë, shqetëson Poloninë. Specialistët e quajnë këtë metodë "Call-ID-Spoofing". Me numra të rremë bëhen kërcënimet për bomba ose me vdekje, si dhe jepen njoftime të rreme për vdekje të të afërmve të afërt.

Politikani opozitar Borys Budka mori kështu njoftimin për gjoja vdekjen e gruas së tij prej një infarkti të zemrës. Sipas tij, ajo ndodhej e ulur pranë tij kur nga telefoni i saj atij i mbërriti telefonata e sajuar. Kjo është arsyeja pse ai arriti të regjistrojë zërin: Kasia nuk jeton, nuk merr frymë, është konfirmuar vdekja e saj.

Autoriteti suprem mbikëqyrës spiunohet

Ndërsa është ende e paqartë se kush qëndron pas këtyre telefonatave të sajuara, rasti rreth përdorimit të programit të spiunimit Pegasus vazhdon të zgjerohet dhe, si në rastin e viktimave të thirrjeve të sajuara, prej tyre duket se preken kryesisht njerëz kritikë ndaj qeverisë polake.

Deri tani, është konfirmuar përdorimi i këtij programi izraelit, në parim i zhvilluar për të luftuar krimin, kundër individëve. Ai preku celularët e një avokati, të një prokurori dhe ish-menaxherit të fushatës së partisë kryesore opozitare.

Por tani, autoriteti suprem mbikëqyrës i vendit, i cili ndër të tjera monitoron përdorimin e ligjshëm të fondeve buxhetore, njofton se punonjësit janë spiunuar mijëra herë gjatë dy viteve të fundit - aktualisht, në bashkëpunim me Canadian Citizen Lab, i cili duhet të zbulojë keqpërdorimin e qëllimit të softuerit, po verifikohet çështja nëse është përdorur edhe Pegasus.

Qeveria i kundërshton akuzat

Zëdhënësi i autoriteteve, Lukas Pawelski, vuri në dukje se operacionet e përgjimit ishin rritur veçanërisht në momente delikate për qeverinë: "Kulmi i parë ishte kontrolli i votimit postar në vitin 2020, kulme të tjera u zhvilluan pas ndryshimeve të personelit dhe gjatë takimeve konsultative mbi aktivitetet e kontrollit për vitin 2020”.

Kreu i autoritetit, Marian Banas, i vendosur fillimisht nga PiS, u përplas me partinë në pushtet - autoriteti i tij që atëherë ka ngritur akuza të rënda. Anasjelltas, shërbimet shtetërore përhapën edhe idenë se Banas kishte deklarime të rreme të pasurisë dhe se ishte i lidhur me krimin e organizuar.

Udhëheqësi i PiS Kaczynski nuk kundërshton blerjen e programit përgjues, por kundërshton përdorimin e tij kundër kundërshtarëve. Zëdhënësi i Koordinatorit të Shërbimit Sekret mohoi gjithashtu zyrtarisht se Dhoma e Kontrollit ishte spiunuar: "Këto raportime mediatike, të frymëzuara nga kreu i Dhomës së Kontrollit, janë një përpjekje për të portretizuar veten si viktimë e represionit politik dhe për të manipuluar opinionin publik në një kohë kur në Sejm është në pritje kërkesa për heqjen e imunitetit të tij”.

Dhoma nxori në dritë një përpjekje për të mbuluar faktet

Institucioni vetë është i një rëndësie të veçantë, jo vetëm për shkak se organet e tjera mbikëqyrëse në Poloni janë nën presion ose janë bërë një me vijën e partisë. "Është institucioni i fundit shtetëror që kontrollon këtë qeveri dhe rezulton se e përmbush mirë këtë mision”, tha ish-lideri i saj Krzystof Kwiatkowski, tashmë përfaqësues i opozitës në senat.

Edhe përsa i përket blerjes së vetë programit përgjues kompjuterik: Dhoma vërtetoi se Departamenti i Drejtësisë shpërdoroi fondet e destinuara për viktimat e krimit për të blerë programin, ndoshta për të fshehur vetë blerjen.