'Zhduket' pasi i merr 1 mln lekë për akt-ekspertizën e pronës/ Qytetarja denoncon eksperten

Qytetarja Majlinda Gjeta ka kontaktuar eksperten Manjola Bello për të hartuar një akt-ekspertizë, për pjesët takuese në një pronë në Librazhd që në vitin 2020. Majlinda ka bërë pagesën me 2 këste një herë 500 euro dhe më pas 400 mijë lekë, por aktin nuk e mori kurrë.

Gazetarja: Si u vutë në kontakt me këtë eksperte dhe çfarë po ndodh?
Majlinda Gjeta:
Problemet e një prone që kam me një firmë ndërtimi në Librazhd, për arsye të mospërmbushjes së detyrimit kontraktor që kam me firmën, për mosdhënie të detyrimit që firma më drejtohet, jam e detyruar që t’i drejtohem gjykatës dhe për këtë arsye më duhej një akt-ekspertize të të gjithë objektit dhe pronës që kam. Me rekomandimet që pata, iu drejtova një eksperteje me emrin Manjola Bello. Nga marrëdhënia që kam me të, më kërkoi që të pagoja gjysmën e pagesës që jepej në dorë dhe pjesën tjetër kur unë të merrja aktin.

Në momentin e parë që ka ardhur, ka bërë matjet në vend dhe unë i kam bërë pagesën prej 500 eurosh. Nga Nëntori 2020 dhe deri në Korrik 2021, ishim në kontakte të vazhdueshme për të përfunduar aktin, por me pretendimet që është Covid-i, kam probleme familjare, kam probleme shëndetësore dhe problemet e gjykatës, zgjateshin seancat dhe unë nuk e kam vënë në një presion shumë të madh. Në muajin Korrik, i them e keni gati aktin. Më thotë ‘e keni gati, silleni pagesën tjetër që të merrni aktin’. Kam ardhur në Tiranë, ku këto dy-tre ditë kam marrë kontakte dhe herë me del dhe herë nuk më del.

Atë ditë kam sjellë pagesën dhe i them që ta shikoj aktin që të di se çfarë pune është kryer që unë të bëj këtë pagesë. Më thotë që  ‘nuk e kam aktin me vete sepse aktin do ta punonte dikush tjetër, do të firmoste ajo dhe unë dua të ia marr, por nuk e ka kryer punën akoma’. Bëra pagesën 400 mijë lekë dhe më thotë që do të shkoj të marr aktin dhe do të ta sjell. E prita dhe nga ajo ditë, në datën 6 Tetor 2021 dhe sot nuk kam asnjë kontakt fizik me të.

Ekspertja Manjola Bello nuk gjendet në zyrë dhe nuk i përgjigjet në telefon Majlindës.

Gazetarja: Prej sa kohësh nuk e gjeni në zyrë?

Majlina Gjeta: Prej 10 ditësh ndodhem në Tiranë vetëm për këtë problem. Vij këtu dhe nuk e gjej. I bëj telefonata dhe i dërgon mesazhe dhe më thotë ‘prit se do të vij’. Më thotë që paradite është e zënë sepse ka gjyqe, por që do të takohet pasdite. E marr pasdite, por nuk më përgjigjet. Unë në dyshimet e mija jam e mendimet se ajo më pengon me qëllim dhe ka krijuar marrëdhënie me palën kundërshtare. 

Manjola Bello nuk është për herë të parë ‘e ftuar’ në emisionin “Stop”. Dikur me gazetaren Gena Haxhiu, e cila sot jeton në Londër ka bërë një emision pikërisht për këto aktet e ekspertimit të saj të vonuara, të pabëra. Në 21 shkurt 2018 kemi transmetuar, sesi kjo eksperte ka bërë të njëjtën gjë me disa qytetarë në Mamurras. 

Në pamundësi për ta takuar fizikisht eksperten Manjolla Bello, emisioni “Stop” ka provuar që ta kontaktojë me telefon, e cila nuk është përgjigjur. Duke bërë disa hulumtime për Manjola Bellon, vihet re që zonja është e pajisur me licensë në fushën e pasurive të paluajtshme dhe në fakt kërkesa e zonjës Gjeta është për një akt-eksperize për pjesët takuese të pasurisë, një gjë kjo që nuk mund të bëhet nga zonja Manjola Bello.

Në dy pika bazohet puna e një eksperti: E para është njohuri teknike dhe zbatimi i drejtë i tyre që nuk është bërë nga ana e ekspertes Manjola Bello, pasi si fillim nuk i lejohet që të bëjë një lloj ekspertize të tillë dhe e dyta është zbatimi i etikës profesionale, ku kemi të bëjmë me shkelje të rënda të etikës profesionale, pasi jemi në kushtet kur zonja Bello ka kryer një vepër penale për mashtrim.

Megjithatë, pas interesimit të emisionit “Stop”, Manjola Bello vihet në lëvizje dhe i çon zonjës një dokument, i cili nuk është fare ai i kërkuari. “Stop” vuri në dijeni Ministrinë e Infrastrukturës dhe Drejtësisë si dhe institucionet, që licensojnë këta ekspertë.

Denoncuesja: Akt-ekpertiza nuk është ajo që mua më duhet për të vërtetuar vlerën që unë do të përfitoj nga firma ndërtuese. Kërkesa ime është që ajo të më kthejë paratë e marra sepse ka një vit e gjysmë që i ka marrë dhe puna që ajo ka kryer, mua nuk më hyn në punë për të hapur proces gjyqësor. E gjithë procedura filloi pasi mori kontakt nga ju. Unë ndejta 10 ditë në Tiranë dhe më thoshte çdo moment hajde këtu, hajde atje, jam këtu, jam aty.

Nga kontakti juaj u vu në veprim, për të mos kthyer lekët, sepse i dhimbsen edhe ka sjellë një akt. Më çudit fakti sepse nuk ka ardhur të më sjellë vetë aktin, por e ka dërguar me një njeri të panjohur, ma ka lënë në dorë dhe ka ikur. Nuk kuptoj, pse zonja nuk përballet me mua. Ajo është e liçensuar ligjërisht dhe duhet të firmosnim dicka, unë për pagesën dhe ajo për punën e kryer! Unë do të bëj kallëzim për eksperten dhe kam dhe një kërkesë: Do t’i drejtohem Ministrisë së Drejtësisë, për të qenë më të vëmendshëm dhe më korrekt në përzgjedhjen e këtyre ekpertëve, që kanë në dorë fatin e të gjithë popullit, kanë në dorë të ardhurat tona me përshkrimet që bëjnë dhe ne populli nëpër Gjykata, sepse këto lidhen me të dy palët.