Akuza Metës për ‘agjitacion dhe propagandë’

Komisioni Hetimor Parlamentar për të bërë zbulimin e madh se Meta kishte shkelur Kushtetutën ashtu siç nisi një tallava me personazhe me kollaro, ashtu edhe bitisi disa akuza të votuara nga një parlament tallava. Dosja  e “rëndë” shkoi në gjykatë.

Dhe seancat e tallavasë po vijojnë akoma. Se tallavanë e kanë qejf njerëzia. Luhet muzike ka edhe spektakël bëhet edhe propagandë qeveritare. U gjetën akuzat më të rënda që mund të zbuloheshin për të vënë me shpatulla pas murit Kreun e Shtetit.

Nëse në diktaturë këto akuza politike i bënte ndonjë gjykatës shërbëtor i rëndomtë i regjimit tani janë bërë nga deputetë të parlamentit të kërpëratave. Edhe pse duhen të mbeteshin thjesht betejë politike dhe mediatike tani kanë mbërritur në Gjykatën më të lartë të vendit.

Pra gjyqit i mungojnë edhe disa dëshmitarë që Meta ka dashur të arratisej, apo se ka thënë që buka është e keqe e të prangosej direkt në sallë. Por edhe këta dëshmitarë i gjen qeveria derisa gjeti kryetar për opozitën, për një gjyq “rutinë” ka sa të duash patronazhistë.

Katandisja e sistemit në këtë derexhe është edhe fryt i luftës së madhe të Metës që Reforma në Drejtësi të merrte 140 miratime deputetësh. Desh e shqeu tavolinën e kreut të kuvendit duke bërë thirrje që të votohej me unanimitet.

Për këtë këmbënguljen e tij edhe mund te gjykohej Ilir Meta. Por jo për cfurqet.

Dhe ja ku jemi sot, pas një akuze nga rilindja, Kreu i Shtetit po gjykohet. Dhe pa asnjë mëdyshje e them po gjykohet për “Agjitacion e Propagandë”, kundër regjimit, ose e thënë ndryshe, se ka folur,  se ka shprehur mendimin e tij.

Ku ndryshojnë tani, gjyqet publike në diktaturë me këtë të ditëve te fundit në demokracinë e imponuar nga ambasadorokaracia, stabilokracia dhe pengokracia, solide tashmë ne Shqipëri.

Pra Ilir Meta qepe gojën, e mos fol më. Asnjëherë të mos flasësh. Dhe ai që do të vijë pasi ju të keni mbaruar mandatin duhet të ketë shumë kujdes që të mos flasë, të mos mendojë, të mos reagoje, të mos shprehet, të mos qeshë, të mos rrijë serioz, të mos kërcejë, të mos marrë makinën, të mos shikojë asgjë dhe askënd, të mos kundërshtojë kryeministrin, të mos cenojë opozitën. E sidomos te mos flasë farë për bujqësinë.....Pra të mos jetojë, ose të jetojë Peng. Sa për dijeni, falsifikimet nuk janë shkelje. Dhe gjithë këto porosi Meta, duhet ti përcjellë për pasardhësin me protokoll.

Pas dënimit pritet edhe internimi i Metës në një kamp përqendrimi. Dhe ky vendim do merret pas konsultimeve me ndërkombëtarët dhe sigurisht me miratimin e policisë që mbron opozitën e cila sapo ka nisur një “luftë” me mafien qeveritare. Jo luftë shumë e ashpër, thjesht janë në garë për lartësinë e kullave.

Pra, urime reforma e ç’drejtësisë. Të rrojë partia dhe shkarkim të mbarë e “demokratik” Presidentit.