EMRI/ Në kërkim ndërkombëtar për organizatë kriminale, prangoset 33 - vjeçari në Lezhë

Vihet në pranga një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për veprën penale "Pjesëmarrja në organizatë kriminale", në rrethana rënduese.

Ai është Vladimir Doda, 33 vjeç, banues në Lezhë.

Ja njoftimi i plotë i policisë:

Lezhë

Finalizohet nga Policia e Lezhës, operacioni policor i koduar " Ixellesi", për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Vihet në pranga një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për veprën penale "Pjesëmarrja në organizatë kriminale", në rrethana rënduese.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë,  në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit:

V. D., 33 vjeç, banues në Lezhë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Eupen, Belgjikë, i ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprën penale "Pjesëmarrja në organizatë kriminale", në rrethana rënduese, parashikuar nga Kodi Penal belg.

Ky vendim është njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Shkodër. 

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.