Greqi: Teste të detyrueshme për punonjësit e shëndetësisë pa vaksina përforcuese

Athinë - Rreth 10,000 profesionistë shëndetësorë që punojnë në Sistemin Grek të Shëndetësisë, të cilët nuk kanë marrë një vaksinë përforcuese të vaksinës Covid-19, tani do t'u kërkohet të bëjnë dy teste të shpejta në javë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë të martën.

Ashtu si me punonjësit e tjerë të sektorit privat dhe publik, këta punonjës shëndetësorë do të mbulojnë kostot e analizave të tyre.

Ministri i Shëndetësisë Thanos Plevris sqaroi se punonjësit e shëndetësisë që nuk kanë marrë dozë përforcuese, shtatë muaj pas dozës së dytë të vaksinës ose tre muaj pas dozës së vetme, nuk do të pezullohen, siç ndodh me kolegët e tyre të pavaksinuar. Detyrimi i tyre, theksoi ai, do të jetë që të bëjnë dy teste të shpejta në javë.

"Askush nuk po i vendos ata që kanë marrë dy doza,në të njëjtën pozitë me ata që nuk janë vaksinuar fare," tha ai, duke shtuar se "ata që kanë marrë dy doza të vaksinës janë të vaksinuar".