Nga Arta Marku te Gent Ibrahimi/ Emrat e 10 aplikantëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese

Presidenca ka publikuar emrat e 10 aplikantëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. 

Në listë bie në sy emri i ish-Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku apo dhe kreu i KLP, Gent Ibrahimi.  

Një tjetër emër që kandidon për anëtar të Kushtetueses është edhe ish-deputeti i PS, aktualisht Komisioner i Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Besnik Dervishi. 

10 aplikantët garojnë për një vend në Gjykatën Kushtetuese për të plotësuar vakancën e shkaktuar nga mbarimi i mandatit të gjyqtarit kushtetues Përparim Kalo. 

NJOFTIMI
Institucioni i Presidentit të Republikës, njofton se:

Pas përfundimit të afatit të aplikimit për vendin vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, “Vakancë e plotë”, e krijuar për shkak të deklarimit të mbarimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese në datën 08.04.2022, të zotit Përparim Kalo, me vendim nr. 42 datë 22.12.2021, të Gjykatës Kushtetuese, procedurë aplikimi kjo e shpallur me Dekretin nr. 13413, datë 13.01.2022, të Presidentit të Republikës, rezulton se kanë shprehur interes dhe kanë aplikuar shtetasit e mëposhtëm:

1. Zonja Ardita Buna
2. Zonja Arta Marku
3. Zonja Arta Vorpsi
4. Zoti Besnik Dervishi
5. Zonja Elida Take
6. Zoti Gent Ibrahimi 
7. Zonja Juliana Latifaj
8. Zoti Maksim Qoku
9. Zonja Manjola Xhaxho
10. Zoti Sandër Beci

Lista e aplikantëve të mësipërm dhe dokumentacioni për secilin kandidat i përcillen menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për verifikim dhe vlerësimin e tyre në përputhje me kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit.

Institucioni i Presidentit të Republikës, referuar pikës 2 të nenit 7/b, të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, gjen rastin të kujtojë se, të gjitha institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.