ShBA-BE mbështesin zgjatjen e vetingut: Nuk është çëshje partiake, votë për të ardhmen e Shqipërisë

Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasada e ShBA-së në Tiranë mbështesin zgjatjen e organeve të vetingut, ku sipas tyre, jemi në një moment të rëndësishëm pasi reforma në drejtësi po jep rezultate.

Në deklaratën e tyre të përbashkët theksohet se kjo nuk është një çështje partiake, por një votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE.

Deklarata e përbashkët Delegacionit të BE në Shqipëri dhe Ambasadës së ShBA në Tiranë:

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformat e anëtarësimit në BE. Ndër hapat më të vështirë, por thelbësorë, ka qënë miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Jemi në një moment të rëndësishëm pasi reforma në drejtësi po jep rezultate.

Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element thelbësor i reformës në drejtësi. Për t’u mundësuar institucioneve të vetingut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës për ta zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar.

Komisioni i Venecias konfirmon se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike.

Zgjatja e propozuar e vetingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë në BE sa më shpejtë të jetë e mundur. Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët-pavarësisht nga përkatësia partiake-ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE.