VIDEO/ Një ditë më parë djali iku drejt Gjermanisë, si e shtyu xhelozia burrin të vriste me thikë gruan

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë në Fier, ku 56-vjeçari Petrit Mamaj, për motive banale ka vrarë me thikën e bukës bashkëshorten e tij, Valdete Mamaj.

Mësohet, se ngjarja fillimisht është raportuar si vetëvrasje, ndërsa në trupin e gruas është konstatuar një plagë në shpinë dhe disa shenja në pjesë të tjera të trupit. Uniformat blu kanë marrë njoftim nga vëllai i Petritit, me profesion police.

Pas grumbullimit të provave është thërritur për të dhënë dëshminë e tij para hetuesve edhe i shoqi i gruas. Pas disa orë marrjesh në pyetje, ai ka pranuar se e ka vrarë ai të shoqen, duke shtuar më tej se dyshonte se e shoqja e tradhtonte, ndaj për këtë arsye ka kryer aktin e rëndë.

Sipas fqinjëve, çifti nuk ka pasur probleme, ndërsa një ditë më parë është larguar nga banesa drejt Gjermanisë djali i tyre. Mësohet se viktima punonte shitëse në një dyqan në qytetin e Fierit, ndërsa bashkëshorti i saj ishte punonjës në shërbimet komunale.

Njoftimi nga Policia Fier

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen “Sheq i Madh” Fier.

Pas një pune hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, Policia arreston shtetasin P. M.,si autor i dyshuar i vrasjes së bashkëshortes së tij.

Pas njoftimit të marrë në sallën operative se në lagjen “Sheq i Madh”, Fier, në banesën e saj një shtetase është vetëvrarë, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Fier kanë vijuar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Nga provat e grumbulluara, deklarimet e marra, këqyrjes së trupit të viktimës nga eksperti mjeko-ligjor dhe veprimet e mëtejshme hetimore të kryera nga grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorisë Fier, rezulton se shtetasi P. M., bashkëshorti i viktimës, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasen V. M., e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.

Në bazë të hetimeve të thelluara, i vendosur përballë provave të administruara, shtetasi P. M., ka pranuar autorësinë dhe motivin e ngjarjes.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, shtetasin P. M., 56 vjeç.

U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës(thikë), me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.