Do të apelohet dënimi i Tahirit apo jo?/ SPAK ende pa vendim

Pas vendimit për dënimin e Saimir Tahirit me 3 vite e 4 muaj vite heqje lirie nga Gjykata e Posaçme e Apelit, burime pranë SPAK bëjnë me dije se ky i fundit ende nuk ka marrë një vendim për ta apeluar.

Struktura e Posaçme Antikorrupsion bën me dije se pritet zbardhja e vendimit të arsyetuar ndërsa do të jetë në dorën e dy prokurorëve të çështjes Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, të vendosin nëse do të bëjnë rekurs apo jo.

Me vendimin e Apelit u rrëzua kërkesa e SPAK për akuzat e trafikut të drogës dhe grupit kriminal të ngritura ndaj ish- ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, duke e dënuar vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Deri tani, Prokuroria e Posaçme nuk e ka marrë ende një vendim pa lexuar arsyetimin e treshes së Apelit të GJKKO-së e cila dha dënimin me 3.4 vite burg.

Pritet afati prej 45 ditësh për të konstatuar nëse SPAK do e ankimojë apo jo vendimin ndaj Tahirit i cili vetë, teksa pala mbrojtëse e këtij të fundit ka paralajmëruar rekurs në Gjykatën e Lartë.

Edhe ky veprim mund të bëhet pas zbardhjes së vendimit të plotë të GJKKO-së.