VIDEO-SYRI TV/ Gremina financiare: Edhe 20 mln euro për Korçë- Ersekë

Rruga Korçë–Ersekë është kthyer në një greminë, e cila po gllabëron miliona euro nga buxheti i shtetit. Deri tani kostoja ka arritur në 60 milionë euro, ndërsa shifrat rriten nga dita në ditë. Qeveria shqiptare ka akorduar një fond tjetër, i cili e kalon vlerën e 20 milionë eurove. Por përfundimi i punimeve është ende shumë larg, çka pritet që ky aks rrugor të thithë edhe shumë para të tjera

SYRI TV

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka planifikuar të shpenzojë edhe 20 milionë euro të tjera për Lotin e Dytë të aksit Korçë-Ersekë. Kostot e deritanishme për këtë aks rrugor arrijnë në vlerë totale prej 60 milionë euro. E, megjithatë, këto vlera të fryra, sërish nuk janë të mjaftueshme për të përfunduar rrugën 35 kilometra të gjatë.

ARRSH ka publikuar në Regjistrin e Parashikimeve procedurën “Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë” Loti i Dytë, pjesa e dytë. Tenderi pritet të shpallet në tetor të vitit 2022 dhe fondi limit është 2.4 miliardë lekë të reja ose rreth 20 milionë euro. Rruga Korçë-Ersekë ka nisur të ndërtohet që në vitin 2015, por përfundimi i saj është shtyrë në kohë.

Ndërtimi i rrugës është parashikuar të realizohet me tre lote. Loti i Parë, me gjatësi 17.6 kilometra dhe kosto 20 milionë euro është përfunduar në vitin 2018. Tenderi u fitua nga kompania “ANK”, e krijuar nga ish-deputeti socialist, Ndue Kola dhe tashmë nën administrimin e familjarëve të tij. Pjesa e parë e Lotit të Dytë, me gjatësi 4.5 kilometra dhe vlerë po 20 milionë euro, u fitua sërish nga “ANK”, në gusht 2020. Për këtë tender pati akuza publike, pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar shpenzoi 5 milionë euro për një kilometër rrugë, e cila për më tepër nuk është në standardet e autostradës.

Tashmë, pritet shpenzimi i 20 milionë eurove të tjera, për të përfunduar punimet e Lotit të Dytë. Për momentin, është e paqartë se sa është gjatësia e rrugës që do të përfshihen në Lotin e Dytë, pjesa e dytë.  Megjithatë, ajo që është e sigurt, është fakti që, edhe pas shpenzimit të 60 milionë eurove, aksi rrugor Korçë-Ersekë nuk do të përfundojë.

Pas përfundimit të dy lotëve, pritet të zhvillohen procedurat edhe për një Lot të Tretë, siç është parashikuar që në fillim të zbatimit të projektit.