Dashuria për Erdogan dhe frika nga vlerat perëndimore

Kryeministri Rama shprehu dëshirën që Shqipëria ti bashkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës në gjithë veprimet e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për çështjen e Ukrainës. Ky ishte një veprim për tu përgëzuar dhe inkurajuar, pavarësisht se është një detyrë për të mbrojtur vlerat dhe parimet perëndimore, ku Shqipëria bën pjesë.

Është për t’u përgëzuar sepse politika e jashtme Shqiptare është lëkundur si një balonë që tundej pas interesave të pushtetit, si në lidhje të forta strategjike me Turqinë dhe doktrinën ‘zero probleme me fqinjët’ ashtu edhe projekteve të lobimit Serbo-Ruse për zgjidhje të reja gjeopolitike në Ballkan. Duke mos mbajtur një bosht dhe në mungesë të një vizioni, ajo promovoi idenë e ndryshimit të kufijve dhe linjave të pastra etnike në Ballkan, përkrahu Turqinë për Palestinën në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme, votoi kundër rezolutës së Kongresit Amerikan për çështjen e Jerusalemit, punoi për krijimin e një zone neutrale interesi në Ballkan duke përkrahur idenë e Serbisë për një Ballkan të Hapur jo për Europën (se ai faktikisht ekzistonte) por për fuqitë jo-europiane, autoritariste që kërkonin rritjen e zonave të influencës në rajon.

Kjo politikë e jashtme qesharake u frymëzua nga humbja e vëmendjes për Ballkanin gjatë Administratës së kaluar të Presidentit Trump, rritja e interesit të Rusisë, Kinës e Turqisë për rajonin, si dhe rritja e tendencave autoritariste të regjimeve të Ballkanit që kërkonin të forconin pozitat e tyre jashtë tutelës europiane. Ndërsa Serbia u lidh më ngushtë me Rusinë dhe Kinën, Shqipëria pa si garanci për pushtet Turqinë, dhe si model qeverisje Erdoganizmin, duke bashkuar interesat e dy vendeve së bashku: Turqia për realizimin e projektit të neo-otomanizmit dhe Shqipëria për të ndërtuar një sistem kleptokratik me oligarkët e saj. Erdoganizmi nuk ishte vetëm një ide, por edhe një vizion. Rama dhe Erdogan do të ishin liderët e vetëm që nuk do të mbeteshin ‘peng’ të programeve të tyre qeveritare, por do të drejtonin me vizion për vitet 2030-2040 dhe deri sa Zoti do t’ju jepte frymë.

Në Shqipëri jo vetëm veprat e kultit do të lulëzonin, kështjellat bizantine dhe venedikase do të restauroheshin dhe një pllakë tjetër e kulturës osmane do vendosej në to, por edhe do të ngriheshin përkujtimore për të rënët e grushtit të shtetit dhe do të bashkëpunohej në zhdukjen e organizatave terroriste që Turqia i kishte problem. Kjo lidhje e qëndrueshme dhe e fortë u pa me kujdes nga liderët e dy vendeve kur administrata e Biden paraqiti një tjetër doktrinë, atë të rikthimit të vlerave të Amerikës. Për Presidentin Biden lufta ideologjike në botë për shekullin 21 do të përqendrohej midis dy sistemeve: demokraci versus autokraci. Të dy vendet kishin shkarë nga demokracia por liderët e tyre duhet të ‘mbijetonin’ në këtë skenë të re gjeopolitike.

Nga marrëdhëniet e ngushta me Rusinë, blerja e raketave S400, kompromiset në Lindjen e Mesme, Erodgani tregohet bashkëpunues në Samitin e NATO-s në Britani duke u vetë-ofruar mbrojtjen e aeroportit të Kabulit me forcat e tij. Rama duhet të bënte të njëjtën lëvizje dhe merr iniciativën për marrjen e afganëve pas tërheqjes së trupave të koalicionit nga Afganistani. Ai kishte vërtetë përkrahjen e lobistëve dhe Atlantic Council për një projekt rajonal në Ballkan, por kjo nuk ishte e mjaftueshme.

Shqipëria kishte shkuar larg me pushtetin e tij një partiak, me kanabizimin e vendit, me lidhjen e politikës me krimin e organizuar, me korrupsionin që e vinte vendin e tij më poshtë se sa vendet e pazhvilluara të Afrikës. Ai duhet të ishte aktiv dhe të ndryshonte imazhin. Mënyrat klienteliste të tij, që me armët kimike, marrjen e iranianëve muxhahedinë, kishin provuar se Perëndimi dhe SHBA mund të ‘harronin’ për ca kohë. Marrja e afganëve dhe bashkëpunimi me Këshillin e Sigurimit (që gjithë vendet e tjera e bëjnë me ndërgjegje dhe pa tam-tame) do t’i siguronin një përkrahje.

Përkrahja pa kushte e zotit Rama dhe regjimit të tij të korruptuar sigurisht ka sjellë një krizë besimi për demokracinë Shqiptare. Veprimet për të përkrahur atë në dëm të shtetit ligjor dhe demokracisë kanë bërë që shoqëria shqiptare të mbetet e pashpresë. Çdo përpjekje për protesta mbytet me arsyen e mos prishjes së rendit dhe stabilitetit. Opozita është goditur për t’i siguruar atij pushtetin. Shqiptarët po ikin dhe po largohen në masë duke mos parë ndryshim dhe rritje të mirëqenies.

Pyetja shtrohet: Kush do ta ndihmojë demokracinë Shqiptare? A do të vazhdojë ky shtet me një demokraci të orkestruar, ku aktorët e tij përzgjidhen vetëm nga rolet e tyre klienteliste dhe pranueshmëria e tyre serviret nga lobistët dhe grupet e interesit dhe jo nga populli? Pse hesht Perëndimi për korrupsionin, për zgjedhjet e manipuluara?

Problemi qëndron se me mbytjen e demokracisë dhe përkrahjen në heshtje të një regjimi kleptokratik e autokrat të gjithë janë të humbur, si Perëndimi ashtu edhe Shqipëria. I vetmi i fituar është zoti Rama që vizionin e tij Erdoganist e ka të qartë. Sot ai po përpiqet të qetësojë Perëndimin, por Perëndimin nuk e afron në Shqipëri se nuk mund të sakrifikojë kokën e tij në tepsinë e artë të anti-korrupsionit.