U arrestua për korrupsion, GJKKO shtyn seancën për gjyqtaren që liroi të fortët

Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish gjyqin ndaj ish-gjyqtares Enkelejda Hoxha e arrestuar për korrupsion.

Mësohet se shkak i kësaj shtyrje është bërë mungesa e gjyqtarit Erion Çela. Seanca e radhës gjyqësore është caktuar më 14 shkurt të këtij viti.  

Kujtojmë se Enkelejda Hoxha u arrestua pas një hetimi të SPAK pasi dyshohet se ka abuzuar me detyrën duke mundësuar lirimin nga burgu të shumë emrave të njohur të botës së krimit.

Hoxha u vu në pranga paraditen e 11 shkurtit bashkë me 9 persona të tjerë, në kuadër të një operacioni të mirëorganizuar nga SPAK, pasi ishte vënë në përgjim prej muajsh. 

Gjyqtarja që liroi të fortët
Emri i gjyqtares së Krujës Enkeleida Hoxha tashmë lidhet me lirimin nga burgu të disa të dënuarve, përmes vendimeve të dyshimta, para se ajo të përballej me Vetingun. Në 7 nëntor të vitit 2017, Enkelejda Hoxha liroi nga burgu Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë, Arben Zylyftari, në vitin 2000, në Shkodër.

Po në nëntor të 2017 Hoxha liroi edhe Ilir Pajën nga burgu, të njohur me nofkën ‘UFO’ nga drejtësia italiane, pasi ishte arratisur tre herë. Gjithashtu po në nëntor të vitit 2017, gjyqtarja Hoxha i njohu vjetërsinë e punës një gruaje nga fshati Bilaj i Krujës, Marjana Prenuca, që në moshën 5-vjeçare për efekt pensioni.