Vrasja në Greqi, i riu shqiptar dyshohet se fshihet në Korçë

I riu shqiptar Roxhers Demirazi që kërkohet nga shteti grek si i dyshuar për vrasjen e 19-vjeçarit Alkis Kampanos , dyshohet se fshihet në vendin tonë. Ai ka hyrë në Shqipëri në mënyrë legale nga pika kufitare e Kapshticës në datën 2 Shkurt, disa orë pas ngjarjes.

I riu me origjinë nga Korça dhe i lindur në Selanik, dyshohet se fshihet tek të afërmit, pasi familjarët e tij jetojnë në Greqi. Policia shqiptare edhe pse ende nuk ka një kërkesë zyrtare nga Greqia për arrestimin e tij ka kryer kontrolle paraprake, por pa rënë në gjurmët e tij.

Ai kaloi normalisht nga Kapshticë dhe në fakt me pasaportën e tij shqiptare, pasi nuk ishte në kërkim deri në mëngjesin e datës 2 Shkurt.

Për vrasjen me thikë të 19-vjeçarit Alkis Kampanos pas ndeshjes mes AEK-PAOK janë arrestuar 9 persona të moshës 19-23 vjeç, ku në mesin e tyre është dhe një shqiptar, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim.

Shqiptari i akuzuar ka mohuar krimin në gjykatë dhe sipas medieve fqinje deri më tani i akuzuari kryesor është një 21-vjeçar. Për të vërtetuar këtë, prokurorët e çështjes janë në pritje të ekspertizës së thikës, për të parë nëse shenjat e gishtave i përkojnë me ato të 21-vjeçarit.