Shkarkimi i presidentit, Dervishaj: Kuvendi manipuloi provat për ngritjen e Komisionit Hetimor

Përfaqësuesi ligjor i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj deklaroi në përfundim të seancës së Gjykatës Kushtetuese që po vlerëson shkarkimin e kreut të shtetit, se Kuvendi për qëllime politike depozitoi prova shkresore të manipuluara.

Sipas Dervishajt, Presidenti ka vendosur t’i drejtohet prokurorisë lidhur me këtë çështje.

“Sot u mbyll seanca gjyqësore e iniciuar krejtësisht pa të drejtë nga Kuvendi i Shqipërisë. Për fat të keq u provua dhe sot se Kuvendi për qëllime politike depozitoi prova shkresore të manipuluar, vetëm e vetëm me qëllimin që të rrëzoheshin pretendimet e Kreut të Shtetit. E kur kjo ndodh nga Kuvendi i Shqipërisë për një çështje kaq të rëndësishme sa është shkarkimi i Presidentit të Republikës në një çështje që nuk duhet të ekzistonte, imagjinoni çfarë ndodh me institucionet e tjera. Presidenti ka vendosur t’i drejtohet prokurorisë lidhur me këtë çështje”, tha Dervishaj.