'I rëndësishëm, takimi Putin - Macron, por jo vendimtar', thotë Kremlini

Një numër takimesh e samitesh mbahen sot (të hënën) në përpjekje për të gjetur një zgjidhje paqësore për krizën në Ukrainë. Presidenti francez Emmanuel Macron pritet në Moskë, ndërsa kancelari gjerman Olaf Scholz është në Uashington për të takuar Joe Biden. Ndiqni zhvillimet më të fundit drejtpërdrejt.

10:52 me orën e Parisit

Kremlini nuk pret "përparime vendimtare" nga bisedimet Macron-Putin

Rusia nuk pret ndonjë përparim vendimtar nga bisedimet e së hënës midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij francez Emmanuel Macron, por pret që Macron të propozojë mënyra për të lehtësuar tensionet në Evropë, tha Kremlini. Kriza e Ukrainës do të dominojë bisedimet, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në një konferencë.

Macron pritet të kërkojë angazhime nga Putin për të ulur tensionet.

"Situata është shumë komplekse për të pritur përparime vendimtare në vazhdën e një takimi," tha Peskov. Por ai tha se Rusia ishte në dijeni të disa ideve të caktuara për uljen e tensioneve për të cilat Macron kishte folur më parë dhe kishte planifikuar t'i diskutonte me Putinin.

Peskov tha se nuk ishte e mundur të flitej për qetësim të tensioneve ndërkohë që qeveritë perëndimore vazhdonin të flisnin për një sulm të afërt rus në Ukrainë. Ai tha se Moska nuk kishte dëgjuar asgjë të re ditët e fundit për garancitë e sigurisë që po kërkon dhe "bashkëbiseduesit tanë perëndimorë preferojnë të mos e përmendin këtë temë".

10:19 me orën e Parisit

Emmanuel Macron pritet në Kremlin dhe Olaf Scholz në Uashington

Presidenti Emmanuel Macron i Francës, i cili aktualisht mban presidencën e rradhës të BE-së, pritet të hënën në orën 16:00 në Moskë. Takimi i tij me presidentin rus Vladimir Putin pritet të zgjasë deri në mbrëmje. Ai do të përfundojë me një konferencë të përbashkët shtypi, sipas Elysee. Macron më pas, të martën, do të shkojë në Kiev për të udhëhequr përpjekjet për të çtensionuar krizën.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ndërkohë ka shkuar në Uashington për të takuar presidentin amerikan Joe Biden.

"Ne kemi punuar shumë për t'i dërguar një mesazh të qartë Rusisë se do të ketë një çmim të lartë nëse ata do të ndërhyjnë në Ukrainë," tha Scholz për Ëashington Post në një intervistë përpara takimit të tij.