VIDEO-SYRI TV/ KLSH: Të anulohet koncesioni i ‘Laboratorëve’! Shkelje të shumta në kontratën 80 mln USD

Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon anulimin e Koncesionit të Laboratorëve Shëndetësorë, në përfundim të një auditimi të kryer së fundmi pranë Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, ortakët pjesëmarrës në kompaninë koncesionare “Laboratory Networks” nuk plotësonin disa kritere të rëndësishme në momentin që u shpallën fitues të kontratës me vlerë 80 milionë dollarë.

Në raport theksohet se disa nga gjetjet problematike janë identifikuar nga Konsulenti Ndërkombëtar, IFC. Ky i fundit i ka sugjeruar Ministrisë së Shëndetësisë që të eliminonte nga gara bashkimin e operatorëve të përbërë nga “Labopharma”, “AB Laboratory Solution” dhe “Exalab” që në shkurt 2017.

Sipas Konsulentit Ndërkombëtar, disa kompani përfituese të kontratë koncesionare të laboratorëve, të cilat ishin të regjistruara në zona “offshore”, gjendeshin nën hetim nga autoritetet spanjolle. Gjithashtu, një prej kompanive fituese të koncesionit, francezja “Exalab”, nuk krijonte garanci për realizimin e testimeve të nevojshme, sipas kushteve të kontratës.

Nga ana tjetër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se koncesioni zotërohet në 75 përqind të saj nga biznesmeni Janis Karathanos. Kontrolli absolut mbi kontratën koncesionare është në kundërshtim me përcaktimet ligjore mbi procedurat e Partneritetit Publik-Privat, shprehen audituesit shtetërorë në raport.

Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se Ministria e Shëndetësisë duhej të kishte eliminuar që në fazën e parë bashkimin e kompanive të mbledhura në shoqërinë “Laboratory Networks”. Por, meqenëse kontrata tashmë është nënshkruar, KLSH i rekomandon Ministrisë së Shëndetësisë që të bashkëpunojë me Avokaturën e Shtetit dhe të informojë Ministrinë e Financave për problematikat, si edhe të nisë procedurën e zgjidhjes e saj.

Në shkurt 2017, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar në atë kohë nga Ilir Beqja, mbylli procedurën e koncesionit/partneritetit publik privat “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjë”.

Grupi i punës për koncesionin evidentoi si fitues bashkimin e operatorëve të udhëhequr nga “Labopharma” e Janis Karathanos, pavarësisht kundërshtimeve të Konsulentit Ndërkombëtar. Pjesë e fituesve ishte edhe “AB Laboratory Solution”, e regjistruar në zonën “offshore” të Amsterdamit në Holandë, dhe që ishte nën kontrollin e djalit të tij, Konstandinos Karathanos.

Ministria e Shëndetësisë shpalli zyrtarisht fituesin e koncesionit të laboratorëve në prill 2017, pak ditë pasi Ogerta Manastirliu ishte emëruar në krye të institucionit. Siç konstaton Kontrolli i Lartë i Shtetit, të dy ministrat kanë refuzuar të marrin në konsideratë shkeljet e identifikuara nga Konsulenti Ndërkombëtar, i cili ishte thirrur nga qeveria shqiptare për të asistuar në të gjithë procesin e draftimit dhe shqyrtimit të ofertave për koncesionin 80 milionë dollarë të laboratorëve.