Përfshirja e grave kosovare në politikë, dritë në fund të tunelit

Gruaja në pushtet, si faktor në marrjen e vendimeve të mëdha të vendit, ka qenë një nga sfidat më të mëdha që gratë kosovare janë përballë gjatë viteve, në Kosovën e pasluftës. Ndonëse shpeshherë është ngritur zëri për diskriminim gjinor, tek tani, po vërehen sinjalet më të mëdha, se edhe gratë kanë aftësi, si burrat, të japin ide e të marrin vendime në nivel qendror e lokal. Kjo rritje e përfshirjes së gruas në politikë, po konfirmohet edhe nga OJQ e gra që merren direkt me këtë fushë. Syri. net Kosova, sjell më poshtë edhe detaje tjera, lidhur me këtë çështje

Nga Erdonit Hoxha, Syri net. Kosova

Gruaja në Kosovë, për aq sa njeh historia, ka qenë një nga kategoritë e shoqërisë, më të shtypura, sa i përket dhënies së hapësirës, fillimisht për të folur, për t’u arsyetuar dhe më pas për t’u fuqizuar vendimi i saj.

Mirëpo, me kalimin e viteve, gratë kanë nisur përfshirjen e saj në biznes e politikë. Nga kjo e fundit, tek tani kanë nisur të shihet se sa e rëndësishme është përfshirja e grave në politikë dhe zbatimi i kësaj teorie, po shkon duke u praktikuar çdoherë e më shumë. Pra, në vitin 2022, 22 vjet pas luftës në Kosovë, përfshirja e gruas në skenën politike po shkon duke u përmirësuar.

E,  këtë përmirësim në këtë përfshirje po  sheh edhe Dafina Prekazi, nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Në një prononcim për Syrin, Prekazi tha se kjo përfshirje po vërehet më shumë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti, por, prapë se prapë kultura patriarkale në vend, po dominon që grave t’u besohet më pak në vendimmarrje.

“Po, definitivisht mund të vërehet një përmirësim, sidomos me ardhjen e qeverisë së fundit në pushtet, edhe pse me gjithë përpjekjet për fuqizimin e gruas në vendimmarrje dhe politikë, prapë po mbetet një nga sfidat kryesore me të cilën po ballafaqohet shoqëria kosovare. Kryesisht, kultura patriarkale po vazhdon ta dominojë politikën dhe qeverisjen, pasi politika po konsiderohet ende si fushë e dedikuar vetëm për burrat. Pastaj, sistemi dhe kultura aktuale, nuk po i përkrahin gratë, kjo për shkak se, pozita vendimmarrëse, meshkujve po u jepen më shumë se grave. Grave akoma s’po iu besohen këto pozita, e fajin kryesor për këtë e kanë paritë politike, por, sidoqoftë, po e shohim një progres në këtë drejtim” tha Prekazi.

Këtë progres, ajo po e sheh më së shumti në nivelin qendror, pasi pos presidentes Vjosa Osmanit, prej 18 anëtarëve të qeverisë, 6 janë gra, dy prej tyre zv/ministre, por, jo më keq nuk është as pushteti lokal, pasi, edhe pse asnjë komunë nuk udhëhiqet nga gratë, të paktën në zgjedhjet e fundit janë bërë tri nënkryetare.

Ndër tjera, Prekazi tha se për herë të parë në Kosovë, në zgjedhjet e fundit, më tepër se 60% e grave, kanë dal për të votuar, çka nënkupton se tashmë edhe gratë janë të interesuara t’u dëgjohet zëri, se janë të zonja të qeverisin e të marrin vendime të rëndësishme për vendin.

Mirëpo, jo vetëm qeveria Kurti po u jep grave përparësi në politikë.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu, në një prononcim për Syri Kosova, tha se partia e saj ka shënuar progres në përfshirjen e femrës në politikë.

“Gjithpërfshirja dhe shanset e barabarta parime që PDK po i respekton me pushtetin që gratë dhe vajzat e reja e kanë siguruar në qeverisje lokale, 5 kryesuese të kuvendeve komunale dhe 2 nënkryetare, janë pjese e lidershipit të ri lokal, e që është lajm inkurajues për gratë dhe te rinjtë në politikbërje. Një pjesë e konsiderueshme e komunave ku udhëheqim, kanë ndarë pushtetin në 50%\50% dhe natyrisht që, ku avancim më gëzon shumë. Dhe, është lajm i mirë për t’i ofruar qytetarit gjithë potencialin tonë në një qeverisje që synon të angazhohet e të punojë shumë” tha Deliu.

Se roli i gruas në politikë ka nisur të fuqizohet, e thotë edhe aktivistja, Zana Avdiu.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, Avdiu tha se gratë nuk duhet të shihen vetëm si përmbushje e kuotës gjinore, por, edhe si faktor i rëndësishëm i vendimmarrjes.

“Roli grave në politikë kaherë ka nisur të jetë i fuqishëm. Kemi pas ministre, kemi pas presidente dhe kemi edhe tani, e gjithashtu edhe në pozita të tjera të rëndësishme. Por, emërimi i një gruaje ne pozitën e nënkryetares në kryeqytet, sigurisht një hap i rëndësishëm për avancimin e grave dhe rolin e tyre në politike. Gratë nuk janë me vetëm me përmbushë kuota, por, janë faktor i rëndësishëm i vendimmarrjes dhe politikbërjes” tha Avdiu.

Si grua me pushtetin e marrjes së vendimeve, së fundmi ka nisur punë edhe Adelinë Sahiti, e cila nga Përparim Rama, është zgjedhur Drejtoreshë e Mirëqenies Sociale në kryeqytet.

Në një bisedë për Syri.net Kosova, Sahiti tha se zgjedhja e afro femrave në pozita më të rëndësishme në komunën më të madhe në Kosovë, është hap i një përparimi dhe përfaqësimi më të madh të grave në politikë.

“Gruaja më në fund në përfaqësimin e saj brenda institucioneve komunale të Prishtinës po merr detyrat dhe përgjegjësit për çka është e zonja t'i kryej me profesionalizëm. Personalisht falënderoj partinë time, Lëvizjen për Bashkim, e cila pati besim në mua dhe tani mbetet vetëm të punojmë në përmirësimin  e jetës së qytetarëve tanë, për çka ka shumë nevojë. Natyrisht që ky është edhe qëllimi i përbashkët i qeverisjes tonë në krye me kryetarin Përparim Rama” theksoi Sahiti.

Kujtojmë që femra e parë që u bë presidente në Kosovë ka qenë Atifete Jahjaga, duke mos anashkaluar faktin se në Kosovë ka pasur edhe ministri e ambasada që janë udhëhequr nga femrat.