'Denigrimin e historisë së PD e bëjnë ata që s'kanë lidhje me përpjekjet 31-vjeçare ose, që e kanë mision'

“Të kërkosh të denigrosh historinë tonë, do të thotë të godasësh dhe të sotmen, në përpjekje për të shkatërruar opozitën, duke u bërë kështu “patericë” e Ramës”. Me të tilla fjalë u shpreh të dielën në Gjirokastër, deputeti demokrat Tritan Shehu, mbështetës i Komisionit të Rithemelimit të PD-së.

Në kuadrin e ristrukturimit të PD-së, Shehu takoi "për mobilizimin" siç e përshkroi, drejtues të PD-së së Gjirokastrës dhe përfaqësues të tjerë të qarkut të cilëve iu drejtua me këto fjalë: “Ne kemi nevojë për të gjitha kapacitetet e vlerat tona të sotme e historike, të zgjeruara e forcuara këto me të rinj, me këdo që kërkon ndryshimin. Të nxish historinë e PD-së, do të thotë “të betonosh” regjimin e Ramës! PD ka një histori të shkëlqyer në shërbim të demokracisë, lirive, zhvillimit e përkatësisë europiane e perëndimore të Shqipërisë, për të cilën duhet të jemi krenarë.

Mbi këtë të kaluar, mbi përpjekjet dhe arritjet për t’u rritur, bazohet optimizmi ynë në tejkalimin e krizës së sotme si dhe vendosmëria e besimi në fitoren e nesërme mbi regjimin.

Të kërkosh të denigrosh historinë tonë, do të thotë të godasësh dhe të sotmen, në përpjekje për të shkatërruar opozitën, duke u bërë kështu “patericë” e Ramës.

Këtë e bëjnë ata që nuk kanë asnjë lidhje me përpjekjet tona 31-vjeçare ose dikush që fatkeqësisht sot e ka mision ta realizojë.

Ne kemi nevojë për të gjithë e duhet të qëndrojmë të bashkuar, duke u shtuar e zgjeruar, - ka theksuar Shehu. - Kësaj i shërben dhe kjo fushatë ristrukturimi e rikonsolidimi e PD-së, duke filluar nga seksionet e grupseksionet tona. Në përfundim edhe një kafe miqësore së bashku.”