FOTO/ Rayan nuk ia del - Ndërron jetë vogëlushi që ra në humnerë, nxirret trupi pas 5 ditësh

Rayan ka vdekur. Ekipet e shpëtimit të Marokut arritën vetëm sot, e shtunë, ta nxjerrin nga pusi ku kishte rënë 5 ditë më parë (prej ditës së martë), por djali 5-vjeçar tashmë ishte i pajetë. 

Pas ditësh të tëra gërmimesh, një ekip mjekësh shkuan me nxitim në tunelin e ndërtuar për ta nxjerrë jashtë. Sipas burimeve marokene, fëmija ishte gjallë në momentin e daljes nga pusi. 

"Një skenë prekëse dhe e paparë më parë", shkruan gazeta Le Matin, duke raportuar përfundimin e operacionit për nxjerrjen e vogëlushit. 

Një gazetar i Associated Press, i pranishëm në vendngjarje, e pa atë të mbështjellë me një batanije të verdhë. 

Megjithatë, pak më vonë, një deklaratë zyrtare  njoftoi vdekjen e 5-vjeçarit. 

Kabineti i Shtëpisë Mbretërore të Marokut konfirmoi se "fëmija vdiq nga plagët e marra gjatë rënies". Mbreti i Marokut, Muhammed VI, i shprehu ngushëllime familjes. 

Në vendin e ngjarjes ndodheshin prindërit e fëmijës, në një ambulancë pak çaste para se Rayan të nxirrej nga pusi - dhe qindra njerëz të tjerë, të cilët mbaheshin në distancë nga forcat e ushtrisë, ndoqën operacionet e shpëtimit dhe u gëzuan kur panë mjekët, të pavetëdijshëm se gara me kohën për të shpëtuar djalin kishte qenë e kotë. 

Si filloi historia
Gjithçka nisi të martën, kur Yan po luante para shtëpisë së tij në fshatin Tamrout, në veri të vendit, 100 km larg Chefchaouen. Ishte pasdite në shoqërinë e babait të tij. Ky i fundit do të deklaronte: "Unë e mbajta, por ai u zhduk papritur, nuk e pashë më dhe nuk e kuptova që kishte rënë atje". 

5-vjeçari ra në një thellësi prej 32 metra në pusin e familjes. Fundi i rënies ishte vetëm 25 cm i gjërë. 

Pak pas ngjarjes i gjithë fshati u ngrit në këmbë, disa tentuan të zbresin me litar. 

Pusi sa vjen dhe ngushtohet. Rayan ishte gjallë, ankohej, thërriste nënën e tij. 

Të nesërmen vjen Mbrojtja Civile, Rayanit i dërgohet oksigjen, ujë dhe diçka për të ngrënë. Ai është i përhumbur, por reagon, vullnetarët vazhdojnë të flasin më te. 

Tentohet të gërmohet një tunel paralel: 5 eskavatorë punojnë gjithë natën për të krijuar një humnerë dhe përpiqen të arrijnë te Rayan, me një korridor horizontal. 

Të premten gjatë gërmimeve arrihet thellësia ku ndodhej i vogli dhe nisin punimet për ndërtimin e tunelit, në një garë të dëshpëruar me kohën e karakterizuar nga vështirësi; shkëmbinjtë pengojnë shpimet, toka shembet. 

"Kam besim se djali im do të dalë i gjallë nga ky pus" - tha babai i Rayan mbrëmjen e kaluar në televizionin shtetëror 2M - falenderoj të gjithë ata që janë mobilizuar dhe ata që na mbështesin në Marok e gjetkë".

Pastaj orë të tëra pritje. Deri në epilogun tragjik të së shtunës në mbrëmje...