VIDEO/ Berisha, takim me përfaqësues të 'Fratelli d’Italia': Do t'i rikthejmë PD-së, vlerat konservatore!

Ish-Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me deputetë të partisë kryesore konservatore italiane “Fratelli d’Italia” si dhe me sipërmarrës të rëndësishëm nga pjesa verilindore e Italisë, ku në fokus të diskutimeve ishte çështja e rikthimit të vlerave konservatore në PD si dhe bashkëpunimi me të djathtën italiane. Gjatë takimit të zhvilluar online, ish-Kryeministri Berisha tregoi se si multimiliarderi George Soros pas vitit 2013 kapi reformat më të rëndësishme në vend.

Nga SYRI TV

Rikthimi i vlerave konservatore në Partinë Demokratike si dhe bashkëpunimi me të djathtën italiane kanë qenë në fokus të bashkëbisedimit të ish-Kryeministrit Sali Berisha me deputetë të Partisë Konservatore kryesore italiane “Fratelli d’Italia” si dhe sipërmarrës të rëndësishëm nga pjesa veri-lindore e Italisë. Lideri historik i PD- së ka theksuar se Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së do t’i rikthejë opozitën vendit, pasi Lulzim Basha është i kapur nga qeveria Rama.

Berisha: “Pardje, prokurori i Antimafies Italiane ka deklaruar se mafia shqiptare është bërë më e fuqishme se ‘Ndrangheta’. Në këtë kontekst po kërkojmë të bëjmë gjithçka që të kemi një pluralizëm politik në vend sepse ish-kreu i PD ka rezultuar se është zënë peng nga qeveria shqiptare. Kështu, ne kemi vendosur t’i kthejmë vendit një opozitë të vërtetë, një opozitë që ne e konsiderojmë jetësore për sistemin demokratik. Kemi vendosur gjithashtu të rikthejmë vlerat konservatore në partinë tonë, vlera mbi të cilat kjo parti është themeluar.”

Deputeti i forcës politike “Fratelli d’Italia” , Walter Rizzeto, teksa u ndal tek situata ku ndodhet Partia Demokratike, theksoi nevojën e  bashkëpunimit mes dy partive:

“Me sa jam informuar dhe sa kam lexuar për atë çfarë ndodh në Shqipëri, kam kuptuar se ‘Fratelli d’Italia’ dhe Partia Demokratike në Shqipëri duhet të nisin një fazë të gjatë bashkëpunimi sepse mendoj se vlerat bazë janë të njëjtat. Janë vlera që na shoqërojnë jo vetëm brenda kufijve kombëtarë të vendeve tona, por janë vlera që mund të na japin një forcë të madhe në Europë sepse vetëm kështu mendoj se mund te ketë një Europë të drejtë dhe virtuoze, një Europë e popujve si baballarët themelues të Europës, të cilët nuk mund ta imagjinonin se sot nuk është më e tillë.

Kam lexuar me shqetësim, por edhe me keqardhje për atë që i ka ndodhur Partisë Demokratike të Shqipërisë gjatë këtyre javëve të fundit. Mendoj se gjëra të tilla në politikë ndodhin për fat të keq, por mendoj edhe se z. Berisha në këtë pikë ka një detyrë të rëndësishme para vetes, për të përfaqësuar në mënyrë shumë të rëndësishme qytetarët e lirë shqiptar që dëshirojnë një Parti Demokratike të lirë.”

Ish-Kryeministri Berisha tregoi se si multimiliarderi George Soros pas vitit 2013 kapi  reformat më të rëndësishme në vend.

Në takim ishte i pranishëm aktivisti  Ugo Falcone i cili deklaroi se Shqipëria historikisht ka qenë një shembull i bashkëjetesës mes disa besimeve dhe kulturave, ndërsa deputeti Tritan Shehu  vlerësoi rolin e rëndësishëm të “Fratelli d’Italia” në Itali.